
Një veprim simbolik në mbështetje të Palestinës u zhvillua sot herët në mëngjes, kur anëtarë të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe të rinjtë e saj (KNE) kanë varur në shkëmbin e Akropolit dy pankarta gjigante, një në greqisht dhe një në anglisht, me mesazhin “Liri për Palestinën”.
Aktivistët shpalosën pankartat në anën e Dionisiou Areopagitou dhe hodhën thirrje solidariteti me popullin palestinez. Në pankarta shkruhej: Të marrë fund gjenocidi. Asnjë bashkëpunim me shtetin vrasës të Israelit. Liri për Palestinën.
Deputeti i KKE-së, Christos Katsotis, deklaroi se “askush nuk mund të qëndrojë i heshtur” dhe kërkoi që qeveria greke të ndërpresë çdo formë bashkëpunimi me Izraelin, duke theksuar se Parlamenti ka miratuar që në vitin 2015 rezolutën për njohjen e shtetit palestinez.
Ka kohë që disa parti të majta nga opozita greke kanë ngritur kërkesën që qeveria të përdorë termin “gjenocid” për situatën në Gaza, duke theksuar se përmasat e katastrofës humanitare nuk mund të përshkruhen ndryshe.
Nga ana tjetër, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i pyetur në një intervistë televizive, para dy ditësh pranoi se “në Gaza po zhvillohet një katastrofë e madhe humanitare”, por shmangu përdorimin e termit “gjenocid”, duke theksuar: “Ky term është i rëndë. Të mos harrojmë se ka pengje dhe se Izraeli, pavarësisht problemeve, mbetet një demokraci që reagoi ndaj një sulmi të paimagjinueshëm”.
Mitsotakis u shfaq gjithashtu i rezervuar lidhur me sanksionet ndaj Izraelit që diskutohen në nivel të Bashkimit Evropian, por theksoi se Izraeli duhet të kuptojë rrezikun e humbjes së aleatëve dhe miqve tradicionalë, mes të cilëve është edhe Greqia. “Kjo nuk do të thotë se nuk do t’i themi gjërat me emrin e tyre”, shtoi ai.
Top Channel