Opozita drejt radikalizimit në Kuvend? Zbulohet propozimi i Gjin Gjonit në grupin e PD: Të mbledhim nga 1 mijë euro për të ngujuar 20 mijë qytetarë para Parlamentit

19/09/2025 13:59

Grupi parlamentar demokrat i mbledhur me urgjencë në përfundim të seancës së djeshme parlamentare, nuk doli me një vendim se cila do të jetë sjellja e opozitës në raport me qeverinë, por alternativat ishin të shumta.

Pak minuta pas përplasjes në Parlament ku nuk u arrit do të zhvillohej debati për programin dhe përbërjen e qeverisë, deputetët e PD-së iu drejtuan selisë ku Sali Berisha foli për diktaturë.

Burimet i thanë Top Channel se një prej propozimeve ishte ai i deputetit të Lezhës, Gjin Gjoni, i cili tha se mobilizimi i qytetarëve mund të bëhet duke u siguruar ushqim që të ngujohen para Parlamentit.

“Propozimi im është që ne të gjithë si deputetë të mbledhim nga 1 mijë euro dhe të mobilizojmë 20 mijë qytetarë që të ngujohen te Parlamenti. T’u sigurojmë atyre ushqim dhe të rrinë aty pa lëvizur. Ky është propozimi që kam për tani doktor, propozimin për largimin e Ramës mund t’ua them në vijim”, mësohet të ketë thënë Gjoni.

Nga ana tjetër Berishës i është dukur interesant si propozim, por më shumë duket se i ka interesuar propozimi se si mund të largohet kryeministri.

“Jam i interesuar për propozimin për largimin e Ramës”, mësohet t’i jetë përgjigjur Berisha.

Ndërkohë Sajmir Korreshi ka kërkuar të ndiqet procedura për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që sipas tij shkeli rregulloren duke hedhur për votim pa debat programin e qeverisë, ndërsa Gent Strazirimi foli për protestë te Presidenti që ky i fundit të mos vijojnë me betimin e qeverisë.

Një tjetër propozim ishte ai i Besart Xhaferrit për t’i dhënë ultimatum Ramës për të mos përsëritur më atë që ndodhi në seancën parlamentare.

Top Channel