Në kërkim për tentativë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, arrestohet i riu në Tiranë

19/09/2025 08:35

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Operacioni i koduar “Operacionalja 67” u zhvillua në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë, ku u vu në pranga 28-vjeçari, Alban Bruçi.

I riu ishte shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Shkodrës të vitit 2024, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë operacionit policor u arrestua edhe Arjan Sardi, 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se po e transportonte me motomjet Bruçin në momentin e ndalimit. Edhe ky mjet u sekuestrua nga Policia.

Njoftimi nga Policia e Shtetit:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.

Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga Alban Bruçi, 28-vjeç, i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.

Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.

Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:

-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi Arjan Sardi 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S..

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel