
Diskutime dhe debate të shumta mbi draftin e ri të Kodit Penal pati sot nga gjyqtarë, prokurorë dhe përfaqësues të profesioneve të lira ligjore të Durrësit e Fierit.
Tryeza konsultative, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, që u mbajt në Durrës, u fokusua tek paqartësitë dhe problematikat që sjell ky draft në praktikën gjyqësore.
Një nga çështjet më të ndjeshme që ngritën gjyqtarët ishte dhe parashikimi në draft i përgjegjësisë penale për vendimet e marra nga gjyqtarët.
“Si mund të prezumohet që një vendimmarrje e imja që nuk mbështetet nga një gjykatë më e lartë qenka përgjegjësi penale?! Duhet që të jenë norma të qarta, të sakta, të painterpretueshme…”-shprehet gjyqtari Olti Skrame.
“Fjali të gjata e të mbingarkuara dhe nga ana konceptuale. Ka ngatërrim të koncepteve materiale dhe atyre procedurale dhe kjo mund të sjellë probleme në praktikë.“-shprehet gjyqtarja Suela Xhani.
Në diskutim u përfshi edhe fusha e krimeve kibernetike, ku sipas magjistratëve, drafti parashtron dispozita të vështira për zbatim.
“Ato dispozita që kam parë, veçanërisht në fushën e krimit kibernetik, do të jenë të vështira për zbatim me kapacitetet që kemi“-u shpreh gjyqtari Ervin Sulaj.
Një tjetër pikë debati ishte edhe bigamia, e cila në kodin e ri mbetet vepër penale, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të grave.
Takimi në Durrës ishte i dyti i këtij cikli konsultimesh, ndërsa tryeza të tjera pritet të zhvillohen në qytete të tjera të vendit.
Por ky aktivitet pati edhe një pasojë të drejtpërdrejtë për qytetarët. Afro 55 seanca gjyqësore penale dhe civile, të planifikuara sot në Gjykatën e Durrësit, nuk u zhvilluan për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë takim konsultativ.
Top Channel