
Përgjithësisht e kujdesshme me deklaratat luftëndjellëse, Kina befasoi së fundi me paralajmërimin e hapur të mosndërhyrjes në çështjet e saj.
Në një kohë përshkallëzimi të tensioneve rajonale, ministri i Mbrojtjes, Dong Jun preku u tregua i prerë, duke i përcjellë Tajvanit mesazhin e qartë se duhet ta harrojë ëndrrën e tij për mëvetësi, e ndonëse jo e drejtpërdrejtë, kjo u nënkuptuar qartë se ishte një këmbanë edhe për veshët e mbështetësit të madh të ishullit, SHBA-së.
“Bota sot qëndron përballë një tjetër udhëkryqi: paqe apo luftë, dialog apo konfrontim. Kujtesa historike duhet të shërbejë si një paralajmërim i vazhdueshëm për të njohur dhe kundërshtuar logjikën hegjemonike dhe aktet e ngacmimit që maskohen në një formë të re. Paqja dhe drejtësia duhet të mbrohen me forcë të plotë. Edhe një herë kujtoj se Tajvani është pjesë e Kinës, dhe Ushtria e Kinës është një forcë e fuqishme, e aftë të mbrojë ribashkimin. Pekini nuk ka për të lejuar kurrë që përpjekjet e Tajvanit për pavarësi të kenë sukses”, shprehet Dong Jun, Ministër i Mbrojtjes Kinë.
Kina është e përgatitur të zmbrapsë çdo “ndërhyrje të huaj ushtarake” në çdo kohë, shtoi ministri, duke mos përmendur emra shtetesh për të cilat aludonte se mund të bënin një ndërhyrje të tillë. Tajvani me 23.4 milionë banorë, ka qeveri të veten që nga viti 1949. Pavarësisht kësaj, Kina pretendon se ai është pjesë e territorit të saj dhe shpesh kërcënon se mund ta marrë duke mos e përjashtuar as përdorimin e forcës. Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Tajvanit, janë ligjërisht të detyruara të mbështesin kapacitetet mbrojtëse të ishullit vetëqeverisës, sipas Ligjit për raporte me Tajvanin të vitit 1979.
Për shkak të mosmarrëveshjeve, veçanërisht me Filipinet, mbi zonat e pasura me burime në Detin e Jugor të Kinës, Don nënvizoi se Kina do të mbrojë sovranitetin territorial si dhe të drejtat dhe interesat e saj dhe shtoi se synimi për një dominim absolut ushtarak dhe qasja se “i forti ka të drejtë” do të çojnë “në rregullat e xhunglës”.
Top Channel