
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet sot në Britani për një takim zyrtar me kryeministrin Keir Starmer, në rezidencën qeveritare të Chequers.
Takimi vjen mes një klime të çuditërisht pozitive mes dy liderëve që, ndonëse vijnë nga bindje politike krejtësisht të kundërta, kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngrohtë dhe respektuese.
Përballja e tyre e parë publike ndodhi në shkurt, gjatë vizitës së parë të Starmer në Shtëpinë e Bardhë. Atmosfera ishte miqësore dhe gazetarët nuk i humbën momentet e afrimit të ndërsjellë. Një moment i veçantë ishte kur Starmer i dorëzoi presidentit një ftesë nga Mbreti për një vizitë shtetërore të dytë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është e shkruar Windsor këtu; kjo është me të vërtetë diçka e veçantë”, u shpreh i surprizuar Trump.
Pas takimit, presidenti e cilësoi Starmer si “një negociator shumë të fortë”, një kompliment që vlen shumë, veçanërisht kur vjen nga një lider që veten e quan “njeriu i marrëveshjeve”.
Marrëdhënia e mirë u thellua më tej gjatë një vizite jozyrtare katërditore të Trump në Skoci, në korrik. Nga atje, ai deklaroi për mediat: “Më pëlqen kryeministri juaj. Është pak më liberal se unë, siç ndoshta keni dëgjuar, por është një njeri i mirë. Ai arriti të finalizojë një marrëveshje tregtare.”
Më tej republikani amerikan shtoi se “Kryeministri ka bërë një punë të shkëlqyer. Dua t’ua them këtë qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar. Ai ka bërë një punë shumë, shumë të mirë.”
Takimi i sotëm në Chequers vjen në një kohë me shumë rëndësi për të dy vendet. Miqësia e papritur mes dy liderëve mbetet një element interesant, por dita e sotme pritet të shënojë gjithashtu diskutime mbi çështje të mëdha si tregtia, mbrojtja dhe politika globale.
Top Channel