
Spanja dhe Norvegjia njoftuan planet për krijimin e një fondi të posaçëm për palestinezët.
Që prej sulmit të Hamasit tetorin e vitit 2023, Izraeli ka refuzuar t’i transferojë paratë Autoritetet Palestinez, duke krijuar një situatë tejet të vështirë për të. Nga sa pohoi ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, fondi që synojnë të krijojnë vendi i tij dhe Norvegjia do të shërbejë si kompensim për taksat e mbajtura nga Izraeli. Albares kritikoi gjithashtu ofensivën tokësore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës dhe e pohoi hapur bindjen se Izraeli po përpiqet t’i japë fund me forcën e armëve mundësisë së krijimit të një shteti palestinez.
“Spanja dhe Norvegjia do të punojnë për të vënë në tryezë një fond i cili të ndihmojë në kompensimin e humbjeve të qeverisë palestineze në Bregun Perëndimor për të ardhurat tatimore që po mban Izraeli. Ky i fundit po përpiqet të shkatërrojë me bomba idenë dhe mundësinë e një shteti palestinez, e po kryen në Gaza një masakër të vërtetë”, shprehet Jose Manuel Albares, Ministër i Jashtëm i Spanjës.
Izraeli mbledh taksa dhe dogana për Autoritetin Palestinez të Presidentit Abbas, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe prej më shumë se dy vitesh këto para janë bllokuar. Qeveria spanjolle e njohu zyrtarisht Palestinën si shtet në maj të vitit të kaluar. Norvegjia dhe Irlanda gjithashtu e ndërmorën këtë hap. Një ditë më parë, ministri izraelit i financave Bezalel Smotrich shokoi me deklaratën se Rripi i Gazës është një “minierë ari e pasurive të patundshme” dhe se ai është në bisedime me amerikanët se si ta ndajnë atë pas luftës.
“Unë i kam nisur tashmë negociatat”, citohet të ketë thënë ai sipas raporteve në mediat izraelite. Gazën e shkatërruam dhe tashmë mbetet vetëm ta rindërtojmë”, ka thënë Smotrich që e cilësoi enklavën një “Eldorado të pasurive të paluajtshme”.
Top Channel