“Shqipëria 2030 kryefjala e këtij mandati”, Rama prezanton programin e qeverisë: Pavarësia e gjyqësorit, thelbësor

18/09/2025 10:14

Ka nisur seanca pleanre në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin qeverisës.

Rama: Për të ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Evropian, programi i ri qeverisës është si fletorja e zgjidhjeve të një provimi: suksesi do të varet nga aftësia e secilit prej nesh dhe nga këmbëngulja jonë e përbashkët.

“Shqipëria 2030” është kryefjala e këtij mandati.

Ashtu si në tre seancat e fundit të ngjashme me këtë, edhe sot nuk do të lexoj të gjithë programin dhe nuk do t’i marr kohë Kuvendit duke prekur në detaje të gjitha fushat. Pjesën më të madhe të kësaj fjale do ta zërë inovacioni, si një nga shtyllat kryesore të programit.

Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit në BE – kjo rrugë është pa kthim. Reforma në drejtësi mbetet prioritet absolut. Gjyqësori është thelbësor, ndërsa Kodi i ri Penal dhe ai Civil janë në proces, si bazat e reja të legjislacionit në përputhje me standardet evropiane.

Revolucioni digjital do të zgjerohet më tej, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në forcimin e lirive dhe të drejtave të individit.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shërbim të qeverisjes dhe progresit. Futja e AI do të jetë një prioritet i pandarë i ministrive dhe agjencive publike.

Platforma “Diella” do të luajë një rol vendimtar në përshpejtimin e këtij procesi, duke u mbështetur nga sistemi AI4, i cili do të ketë kapacitet të plotë funksional për të vepruar në shërbim të qytetarëve dhe administratës.

Top Channel