
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se po e shpall lëvizjen e majtë Antifa si një “organizatë terroriste”, duke e bërë publik vendimin në platformën e tij Truth Social në orët e para të së enjtes sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar.
“Jam i lumtur t’i informoj patriotët tanë se po shpall ANTIFA, një katastrofë e rrezikshme radikale e majtë, si një organizatë terroriste kryesore,” shkroi Trump, duke shtuar se do të kërkojë hetime edhe mbi ata që financojnë lëvizjen.
Nuk është ende e qartë se çfarë mekanizmi ligjor do të përdoret për këtë vendim, pasi Antifa nuk ka strukturë të centralizuar apo udhëheqje të përcaktuar. Kjo e bën të paqartë se kush ose çfarë do të ishte objektivi i shpalljes.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për CNN se ky është “vetëm një nga hapat” që presidenti pritet të ndërmarrë kundër grupeve të majta që, sipas tij, nxisin dhunë politike.
Vendimi vjen pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, ngjarje që ka shtuar retorikën e administratës Trump kundër atyre që i cilëson si “grupe radikale të majta”. Demokratët e kanë kritikuar lëvizjen duke thënë se presidenti po përdor këtë si pretekst për të shtypur opozitën dhe mendimet ndryshe.
Antifa, e shkurtuar nga “anti-fashistë”, nuk është një organizatë formale, por një lëvizje e shpërndarë me besime politike të majta, shpesh të vendosura më tej se platforma zyrtare e Partisë Demokratike.
Në të kaluarën, Trump ka ngritur edhe mundësinë e heqjes së statusit jofitimprurës për disa organizata liberale, ndërsa këtë javë përmendi me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi opsionin e ngritjes së akuzave për “racketeering” (RICO) kundër grupeve të majta që, sipas tij, financojnë dhunën politike.
Top Channel