
Rrjeti televiziv amerikan ABC ka pezulluar për një kohë të pacaktuar prezantuesin e emisionit të orëve të vona, Jimmy Kimmel, pas komenteve të tij mbi të shtënat me armë ndaj influencuesit konservator Charlie Kirk.
“Jimmy Kimmel Live do të anulohet për një kohë të pacaktuar”, tha një zëdhënës i rrjetit në pronësi të Disney-t. Vendimi erdhi pas kritikave se deklaratat e Kimmel-it ishin “fyese dhe të pandjeshme”.
Në monologun e tij, Kimmel tha se “banda MAGA” po përpiqej të përfitonte politikisht nga vrasja e Kirk-ut, duke ironizuar gjithashtu reagimin e Presidentit Donald Trump. Menjëherë pas njoftimit, Trump e përshëndeti pezullimin duke e quajtur “lajm të shkëlqyer për Amerikën”.
Nexstar Media dhe Sinclair, dy nga rrjetet më të mëdha të shpërndarjes televizive në SHBA, njoftuan se nuk do ta transmetojnë më programin, duke e cilësuar deklaratën e Kimmel-it “të papërshtatshme në një kohë kritike politike”. Edhe kreu i FCC-së, Brendan Carr, falënderoi transmetuesit për “bërjen e gjësë së duhur”.
Nga ana tjetër, sindikatat e Hollivudit dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Amerikës e dënuan vendimin, duke e cilësuar atë një sulm ndaj lirisë së fjalës.
Kimmel, i cili u pa duke lënë studion në Los Angeles pa bërë komente për mediat, mbetet i pezulluar, ndërsa ABC pritet të vendosë mbi të ardhmen e tij në javët e ardhshme.
Top Channel