Fiks Fare/ “I grabiti duke i vënë në gjumë”, 43 vjeçari nga Hondurasi me tuberkuloz dhe SIDA mbahet në kamp në Shqipëri!

18/09/2025 21:00

Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së enjtes historinë e pabesueshme të një 43 vjeçari nga Hondurasi, i cili u arrestua, dënua dhe tashmë pas përfundimit të dënimit mbahet sërish i izoluar në një kamp, në zonën mes Tiranës dhe Durrësit. Ai akuzon administratën e kampit në Shqipëri se nuk i plotëson nevojat më minimale të jetesës, pasi jetesa brenda asaj qendre është shumë e vështirë.

Në disa video që Jose Armando dërgoi në emisionin Fiks Fare duken edhe kushtet shumë të vështira të godinës, me dhoma e dyshekë të prishur, tualete pa asnjë kusht, ndërkohë që edhe ushqimi lë shumë për të dëshiruar. Nëse shteti shqiptar kërkon me ngulm që bashkëatdhetarët tanë të trajtohen në kushte sa më të mira në vendet europiane ku mbahen të izoluar, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe për të huajt.

Por, skandali thellohet edhe më tej, pasi 43 vjeçari nga Hondurasi është i sëmurë me tuberkuloz dhe SIDA. Madje, ai mbahet në ambiente të përbashkëta me persona që qendronin në atë kamp.

“Emri im është Jose Armando. Unë jam nga Hondurasi dhe kam ardhur në Shqipëri si turist. Jam akuzuar se kam rrëmbyer dikë, por unë s’kam rrëmbyer asnjë. Kam kryer burgun për 3 vite e 6 muaj burg. Muajin e kaluar, në datë 9 gusht 2025, jam liruar nga burgu. Megjithëse dënimin e kam kryer, unë kam ardhur këtu në kamp, por as vetë nuk e di pse! Më shumë se një muaj tani, unë nuk e di ku e kam pasaportën dhe telefonin. Unë dua të shkoj në vendin tim, s’dua të qendroj në Shqipëri. Të lutëm më jepni telefonin dhe pasaportën dhe më lejoni të shkoj në vendin tim” thotë ai.

Më tej pohon se ka 5 fëmijë dhe vetë është i sëmurë. “Kam rrezikuar jetën në burg në Shqipëri. Asnjëri nga fëmijët e mi nuk shkon në shkollë, unë kam humbur gjithçka. Unë s’dua të them për arrestimin tim. Tashmë s’ka rëndësi, unë thjesht dua të shkoj në vendin tim dhe te familja ime. Dënimi im ka përfunduar, përse jam ende në burg?!” pyet 43 vjeçari.

Sipas dokumenteve që shfletoi Fiks Fare, Burgu i Durrësit e ka liruar Jose Armandon në datën 9 gusht 2025. Ai është arrestuar më datë 28 mars 2023. Ndërkohë, sipas vendimit të gjykatës, 43 vjeçari nga Hondurasu u akuzua për vjedhje me dhunë, mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë, falsifikim i dokumenteve dhe letërnjoftimeve.

Ai u akuzua nga dy shqiptarë nga Kosova se janë njohur me të në rrejte sociale, por jo në emrin e vërtetë, por në emrin Kamga Raul. “Ky i fundit iu është prezantuar se merrej me tregti makinash në Shqipëri. Në datë 27 mars 2023,, në orën 19.00 ata kanë udhëtuar nga Kosova dhe e kanë takuar te Farmacia Nr.10. Më pas janë ngjitur në dhomën e një hoteli në Rrugën e Dibrës, ku qendronte i pandehuri. Ai u ka thënë se nuk u besonte dhe kishte dyshime se dy shqiptarët nga Kosova ishin mashtrues. Njëri nga dy vëllezërit i ka treguar shumën prej 9 mijë eurosh dhe në ato momente ikën dritat. Pas disa minutash ata kanë ndjerë një aromë të rëndë dhe janë vënë në gjendje gjumi të pavedijshëm. Pas disa minutash ata janë përmendur dhe brenda dhomës së hotelit ata kanë parë të pandehurin që mbante një peshqir në dorë dhe u ka thënë atyre që të shkonin te bari poshtë hotelit. Ata janë ulur dhe kanë porositur dhallë, ndërkohë Kamga u ka thënë se do të blinte diçka . Më pas ata kanë kontrolluar për eurot dhe nuk I kishin. E telefonuan, por s’morën përgjigje. Mësuan se ai kishte në hotel prej datës 1 mars 2023” thuhet në vendimin e gjykatës.

Një ditë më pas, i njëjti person tashmë me emrin Jose Armando është kapur në Kakavijë me një shumë prej 10.130 euro dhe 400 USD. Dhe, për këtë akuzë ai u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.

Krahas problemeve me drejtësinë, për të cilat thotë se tashmë e ka kryer edhe pse pretendon pafajësi, 43 vjeçari tregon edhe kushtet aspak të favorshme të Qendrës. Madje, edhe Avokati i Popullit ka bërë disa inspektime dhe ka gjetur një mori me parregullsish.

“Unë jam shumë i sëmurë, kam qendruar më shumë se 8 muaj në një spital në Tiranë. Tani, unë e kam përfunduar dënimin, më jepni telefonin dhe pasaportën që të jetoj. Unë s’dua të qendroj në Shqipëri, s’dua të jetoj këtu ku jam, nuk jam refugjat, nuk jam klandestin. Kushtet këtu në burg janë shumë të vështira. Më ndihmoni që unë të bashkohem me familjen time, kam 5 fëmijë. Unë kam humbur gjithçka këtu, kam humbur trupin tim. Më shikoni tani dhe shikoni fotot më parë. Kushtet janë shumë të këqija. Unë thjesht dua të shkoj te vendi im” apelon ai, teksa tregon edhe se ku jeton ai dhe shumë të tjerë.

“Ja kushtet këtu në kamp. Këta njerëzit janë nga Nepali dhe kanë këtu 9 muaj. Kushtet nuk janë aspak të mira. Ky është tualeti, kushtet në të cilat ne jetojmë këtu. As ata nuk e dinë se përse po qendrojnë këtu kaq gjatë. Ky është korridori dhe përballë është dhoma ime. Këta nuk na lejojnë që të dalim. Jemi të rrëmbyer, nuk dalim dot jashtë dhomës” përfundon ai.

Pas denoncimit, grupi i Fiks Fare shkoi te Qendra e Mbyllur për të Huajt në fshatin Kareç, midis Tiranës dhe Durrësit, ku kontakton në telefon me drejtorin për të gjitha pretendimet. Drejtori Dritan Bona thotë se kushtet janë ato që janë, pasi “s’është shtëpi”. Gazetarët e pyesin për krevatet dhe tualetet, ndërsa përgjigjet se në kamp vijnë dhe ikin shumë, ndaj janë në atë gjendje.

Në lidhje me ushqimin, thotë se ka një normativë dhe se është e njëjtë me atë të burgut. Fiksi e pyet për të burgosurin Jose Armando, ndërsa ai përgjigjet se edhe ai po bën çmos që ai të largohet. “Është me dy sëmundje, tuberkuloz dhe SIDA. Së pari rrezikohet personeli, i kemi ardhur në ndihmë por kushtet janë ato që janë. Kemi kontaktuar me autoritete të huaja, edhe ato nga Hondurasi, për t’a depërtuar dhe presim nga dita në ditë” thotë ai. Më tej pohon se edhe personeli i qendrës rrezikon.

Drejtori tha se e ka çuar në një dhomë më vete, që s’ka kontakt me të tjerë. Por, nga videot që siguroi Fiksi, 43 vjeçari lëviz lirisht në kamp, takon të burgosur të tjerë. Ndërkohë, në momentin që grupi i xhirimit shkoi në atë kamp, ai doli në dritare sëbashku me persona të tjerë.

 

FOTO GALERI
3/4

Top Channel