
Vjeshta do të jetë e gjatë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Jo vetëm shtatori, por edhe tetori e përfshin fatin e Erion Veliajt në një axhendë të ngjeshur dhe aspak të shkruar prej tij, por që ka si protagonist këshilltarët socialistë në Bashki, Gjykatën Antikorrupsion dhe Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit, pasi kryebashkiaku i Tiranës humbi në dy shkallët më të ulëta, ka caktuar datën 2 tetor, ora 13:45, si ditën kur tre gjyqtarët Albana Boksi, Medi Biçi dhe Sokol Binaj do të shqyrtojnë kërkesën e Erion Veliajt, i cili insiston se duhet të lërë paraburgimin dhe se masa e arrestit duhet zhbërë, sidomos kur fashikulli hetimor me 30 të pandehur është mbyllur.
Nga 10 shtatori, kur Prokuroria e dorëzoi Veliajn të akuzuar për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të një telefoni në burg, gjykata hodhi shortin dhe caktoi Etleva Dedën si gjyqtare paraprake.
Gjyqtarja vendosi nga ana e saj të shpallë ditën e 29 shtatorit për të çelur seancën paraprake, ku të gjithë të akuzuarit, kryebashkiaku, bashkëshortja e tij dhe mbrojtësit e disa OJF-ve do të ulen në bankën e të akuzuarve për çështjen që SPAK e konsideron si shfrytëzim të pushtetit për të përfituar.
Akuzat hidhen poshtë nga Veliaj, i cili e ka parë nga qelia e burgut të Durrësit Asamblenë Kombëtare të PS, e po ashtu edhe propozimin e kryeministrit Rama që t’i hapej rrugë shkarkimit të kryebashkiakut.
Për çështje ditësh, këshilltarët socialistë në Bashki u mblodhën dhe caktuan datën 23 shtator për të diskutuar mbi shkarkimin, që ndërkohë ka vënë në lëvizje ekipin ligjor të kryebashkiakut, me insistimin se Veliaj nuk mund të shkarkohet përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë.
Gjasat janë që edhe ky front i sapohapur ndaj Veliajt të përfundojë në një sagë gjyqësore, kësaj radhe në Kushtetuese.
Top Channel