
Djali i madh i presidentit amerikan, Donald Trump Jr. u takua me presidentin turk Recep Tayip Erdogan në Stamboll javën e kaluar gjatë një vizite të paparalajmëruar, thanë burimet për faqen e internetit Middle East Eye.
Vizita e Trump Jr. u zbulua për herë të parë të mërkurën nga Ozgur Ozel, kryetar i Partisë Republikane Popullore (CHP), i cili pretendoi se Erdogan ishte i përfshirë në “negociata sekrete” me djalin e madh të presidentit amerikan mbi çështjen e Gazës.
“Në protokoll, ai u referua si ‘biznesmen’, por ata nuk e bënë të njohur emrin e tij”, tha Ozel në një tubim në Stamboll.
“Ndërsa Palestina po rrjedh gjak, ata po bëjnë biznes përmes djalit të Trump”, shtoi ai.
“Për çështjen palestineze, Erdogan pretendon të kritikojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por nuk thotë asnjë fjalë për “sponsorin” e vërtetë të çështjes, Trumpin”, tha Ozel.
Një burim pranë Erdoganit, duke folur për Deutsche Welle, konfirmoi se Trump Jr. u takua me presidentin turk, por e përshkroi takimin si një “vizitë mirësjelljeje”.
Burimi mohoi se kishte pasur një diskutim zyrtar rreth Gazës ose çështjeve të tjera specifike, duke hedhur poshtë pretendimet e Ozel.
Edhe pse Trump Jr. nuk mban një rol zyrtar në administratën e babait të tij, ai konsiderohet shumë i rëndësishëm për Shtëpinë e Bardhë. Ai aktualisht shërben si nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump dhe u shoqërua nga disa biznesmenë me të njëjtat ide gjatë vizitës së tij në Turqi.
Trump Jr. nuk është i panjohur me Turqinë, pasi e ka vizituar vendin në vitin 2016 për një seri takimesh investimi në Stamboll.
Erdogan gjithashtu mban marrëdhënie të mira me Donald Trump, me burime turke që i thanë Middle East Eye se presidenti turk po kërkon një takim dypalësh me homologun e tij amerikan javën e ardhshme në para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ankaraja pritet të diskutojë blerjen e avionëve luftarakë F-16, integrimin e kurdëve sirianë në qeverinë qendrore në Damask, mënyrat e mundshme për të blerë F-35, si dhe tensionet e fundit midis Izraelit dhe Turqisë për Sirinë dhe Gazën.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Trump Jr. është një udhëtar i shpeshtë në rajon, pasi ka vizituar Riadin dhe Dohën, duke shoqëruar babanë e tij në vizita zyrtare në Gjirin Persik.
Top Channel