Ndodh për herë të parë, programi dhe përbërja e Qeverisë miratohet me 82 vota pro. Seanca zgjat vetëm 25 minuta

18/09/2025 10:27

Kuvendi ka miratuar programin e qeverisë dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Një seancë e parashikuar maratonë, ku do të flisnin të 140 deputetët me nga 10 minuta që pritej të përfundonte të premten, ka zgjatur në fakt 25 minuta.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pranoi një propozim të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kaloi direkt në votim programin e qeverisë dhe përbërjen e kabinetit të Këshillit të Ministrave.

Me 82 vota pro dhe asnjë kundër për shkak se deputetët e opozitës të revoltuar nga fjala që mbajti “Diella” në Kuvend, nuk morën pjesë në votim, u miratua edhe programi qeveritar.

Tensionet e opozitës ku nuk munguan as hedhjet e librave të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit në drejtim të kryeministrit, erdhën për shkak se në nisje të fjalës së tij, kryeministri Rama paraqiti edhe një video disa-minutëshe ku shfaqej Diella e cila mbante një fjalim.

Sipas demokratëve kjo ishte e papranueshme, teksa disa prej tyre iu afruan foltores ku fliste Rama, ndërkohë që gardistët iu dolën përballë.

Një ndërprerje e shkurtër 5-minutëshe nuk e qetësoi situatën, duke bërë që Niko Peleshi të fuste Kuvendin në procedurë votimi ku u miratua edhe programi qeveritar për katër vitet e ardhshme.

Top Channel