
Një zbulim befasues nën Oqeanin Atlantik pranë SHBA-ve mund të ofrojë shpresë për një botë që përballet me mungesë të rrezikshme uji të pijshëm.
Gjatë një ekspedite këtë verë, një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë shpimi thellë në fundin e oqeanit ka konfirmuar praninë e një rezervuari të madh me ujë të ëmbël – një burim potencialisht jetik në kohën e krizës globale të ujit.
Zbulimi i fundit nuk është krejtësisht i ri. Që në vitet 1960, ekspeditat kërkimore dhe kompanitë e naftës hasnin herë pas here ujë të ëmbël gjatë shpimeve në Atlantik, por vetëm në vitin 2019 u zbulua për herë të parë me saktësi përmasat e mundshme të këtij fenomeni të çuditshëm.
Duke përdorur teknologji elektromagnetike, shkencëtarët nga Woods Hole Oceanographic Institution dhe Universiteti i Kolumbias identifikuan një shtrirje të madhe ujërash të ëmbla nën det, që përfshinte zonën nga Massachusetts deri në New Jersey – dhe ndoshta edhe më tej.
“Duket të jetë formacioni më i madh i këtij lloji i zbuluar deri më sot në botë”, deklaruan ata në atë kohë.
Në maj 2025, si pjesë e projektit kërkimor ndërkombëtar “Ekspedita 501”, një ekip shkencëtarësh lundroi nga Connecticut për një udhëtim 3-mujor në det të hapur, të pajisur me një platformë të avancuar shpimi. Objektivi? Të shpohej deri në 1,300 metra nën dyshemenë e detit për të mbledhur mostra të sedimenteve dhe ujit dhe për të kuptuar më shumë mbi origjinën dhe sigurinë e këtij rezervuari.
Ata gjetën ujë me përmbajtje kripe shumë më të ulët se ajo e ujit të detit – në nivele që përputhen me standardet për ujin e pijshëm, sipas udhëzimeve të agjencive amerikane dhe ndërkombëtare. Mostrat tani janë në testim për të analizuar mikrobet dhe për të vlerësuar nëse ky ujë mund të konsumohet.
Sipas profesor Brandon Dugan, gjeofizikan dhe udhëheqës i ekspeditës, mosha e ujit mbetet një pyetje kyçe. Nëse uji është relativisht i ri, do të thotë se rezervuari po rimbushet dhe mund të jetë një burim i qëndrueshëm. Por nëse është shumë i vjetër – me një moshë deri në 20,000 vjet – mund të jetë një burim i kufizuar dhe jo i ripërtëritshëm.
Shkencëtarët po analizojnë gjithashtu origjinën e ujit, i cili mund të vijë nga akullnajat e shkrira ose nga reshjet mijëra vite më parë, kur niveli i detit ishte më i ulët dhe zona aktuale ndodhej mbi tokë të thatë.
“Të kuptojmë se si janë formuar dhe si kanë evoluar këto akuiferë është thelbësore për të parë nëse mund t’i përdorim në të ardhmen”, tha Holly Michael, profesoreshë e shkencave të Tokës në Universitetin e Delaware.
Edhe pse mbetet shumë për të zbuluar, zbulimi ka nxitur entuziazëm. Profesor Eric Attias nga Universiteti i Teksasit në Austin thotë se akuiferi mund të përmbajë “ujë të mjaftueshëm për të furnizuar një qytet si New York City për qindra vjet”. Në një kohë kur pothuajse gjysma e popullsisë globale jeton pranë bregdetit dhe burimet e ujit po pakësohen për shkak të mbingarkesës dhe ndryshimeve klimatike, këto akuiferë nën det mund të jenë shpëtimtarë.
Por sfidat janë të mëdha. Nxjerrja e ujit nga këto thellësi kërkon shumë energji dhe kosto të larta logjistike. Për më tepër, ekziston rreziku i ndotjes nga uji i kripur, që ndodhet mbi dhe poshtë akuiferëve, si dhe ndikimi që pompimi mund të ketë mbi sistemet ujore bregdetare në tokë.
Sipas Dugan, përdorimi i energjisë së erës mund të ndihmojë në zbutjen e kostove. Por mbetet për t’u parë kush do ta menaxhojë këtë ujë, si do të transportohet dhe kush do të paguajë për të.
“Përdorimi i ujit nga këta akuiferë nuk është i pafund dhe nuk zëvendëson rëndësinë e mbrojtjes së burimeve ujore në tokë,” tha Michael.
“Por gjithsesi, është një mundësi që nuk mund ta anashkalojmë – dhe prandaj po e bëjmë këtë shkencë.”
Dugan beson se jemi në prag të një zbulimi me rëndësi globale. Provat sugjerojnë se rezerva të ngjashme mund të ekzistojnë në të gjitha kontinentet. Ai parashikon se brenda 10 viteve, këta akuiferë në det të hapur mund të bëhen pjesë aktive e zgjidhjes globale për mungesën e ujit.
Top Channel