
Ish-presidenti amerikan Barack Obama komentoi situatën e tensionuar politike në SHBA pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, duke e quajtur këtë një “moment të rrezikshëm” për vendin.
Në një fjalim të mbajtur në Pensilvani, Obama theksoi se përçarjet politike nuk janë të reja, por dhuna politike është e papranueshme për një demokraci.
Obama kritikoi ashpër reagimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj ngjarjes, duke akuzuar administratën e Donald Trump për përkeqësimin e ndarjes në vend. Ai tha se përpjekjet për “identifikimin e një armiku” para se të sqarohej se kush ishte përgjegjësi për vrasjen, po thellojnë ndasitë kulturore dhe politike në SHBA.
“Parimi kryesor i sistemit tonë demokratik është që mund të mos pajtohemi dhe të kemi debate të ashpra, por pa përdorur dhunë,” tha Obama. Ai u ndal edhe tek fjalët e forta të Trump dhe aleatëve të tij që e akuzojnë “majtas radikalë” si shkaktar të një ambienti të rrezikshëm politik, ndërsa e majta i sheh këto akuza si pretekst për shtypjen e fjalës së lirë.
Obama përmendi gjithashtu përdorimin e Gardës Kombëtare në Uashington dhe kontrollet me ID në Los Anxhelos nga ana e qeverisë si shenja shqetësuese për shkelje të normave dhe parimeve demokratike. Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të jenë vigjilentë ndaj këtyre veprimeve.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë reagoi duke e akuzuar Obamën si “arkitektin e ndarjes moderne politike në Amerikë”, duke shtuar se gjatë presidencës së tij ndarja në vend u thellua.
Pas vrasjes së Kirk, figura të ndryshme politike, përfshirë ish-presidentin Joe Biden dhe ish-presidentin George W. Bush, kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës politike dhe rikthimin e debatit të arsyeshëm.
Obama kërkoi gjithashtu që në debatet politike të ruhet respekti për të drejtën e të tjerëve për të shprehur mendime, edhe nëse ato janë shumë të kundërta me bindjet tona.
Top Channel