Vizita e Donald Trump në Britaninë e Madhe, Presidenti amerikan kryen homazhe në vendin ku prehet Mbretëresha Elizabeth II

17/09/2025 17:41

Presidenti amerikan Donald Trump u prit me ceremoni të lartë shtetërore nga Mbreti Charles III, në një ditë të mbushur me emocione, simbolikë dhe takime të rëndësishme, gjatë vizitës së tij historike në Mbretërinë e Bashkuar.

Në qendër të emocioneve ishte vizita prekëse e Trump në Kapelën e Shën Gjergjit, ku prehet Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II, një figurë për të cilën ai kishte shprehur vazhdimisht respekt dhe dashuri.

Presidenti amerikan vendosi një kurorë me lule pranë varrit të saj dhe e quajti këtë moment një “nder të jashtëzakonshëm”. Atij iu dha një kohë prej 10 minutash në privatësi, për të bërë homazhet e tij.

Trump dhe bashkëshortja e tij kishin qenë të ftuar në një darkë shtetërore nga Mbretëresha Elizabeth gjashtë vite më parë, çka shton edhe më shumë peshën simbolike të këtij momenti për ish-presidentin amerikan.

Më pas, Trump dhe bashkëshortja e tij iu bashkuan Mbretit Charles, Mbretëreshës Camilla, si dhe kryeministrit Keir Starmer dhe bashkëshortes së tij, për të ndjekur një shfaqje ajrore spektakolare nga skuadra Red Arrows.

Megjithatë, për shkak të motit të keq, një fluturim i planifikuar i avionëve luftarakë F-35 u detyrua të anulohej.

Ceremonia e mëngjesit ishte një demonstrim i vërtetë i pompës dhe madhështisë së protokollit britanik, me një ceremonial ushtarak të jashtëzakonshëm, që rrallë herë është organizuar në këtë nivel për një vizitë shtetërore.

Sipas një lexuesi të buzëve të cituar nga tabloidi britanik The Sun, gjatë takimit të mëngjesit, Trump i është drejtuar Princit William me fjalët “miku im”, ndërsa i ka thënë Kate Middleton: “Përshëndetje, e bukur.”

Presidenti gjithashtu ka pyetur për fëmijët e Princit të Uellsit, dhe William është përgjigjur se janë mirë dhe në shkollë. Më tej, Trump ka shtuar: “Ka kaluar kohë që kur kemi biseduar për herë të fundit.”

Princi William, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij, ka thënë me humor: “Na ka munguar biseda me të,” ndërsa më pas ka shtuar: “Tani që je këtu për vizitë, mund të flasim sërish.”

Top Channel