UEFA godet Egnatian, kampionet e Shqipërisë gjobiten me 60 mijë euro për shkeljet në kupat e Europës

17/09/2025 13:21

Ndeshjet mes KF Egnatia dhe NK Olimpija Ljubljana, të vlefshme për raundet kualifikuese të kupave europiane, nuk kanë kaluar pa pasoja për kampionët e Shqipërisë.

Përveç rezultatit sportiv, që solli eliminimin e rrogozhinasve pas barazimit 0- 0 në Slloveni dhe humbjes 2-4 në Shqipëri, klubi është penalizuar rëndë edhe nga UEFA për sjelljen e tifozëve dhe ekipit.

Në takimin e zhvilluar më 14 gusht 2025, në Shqipëri, UEFA ka zbardhur një sërë shkeljesh disiplinore, duke i vendosur Egnatias një total gjobash prej 60,000 eurosh. Konkretisht, vendimet përfshijnë sjellje të papërshtatshme të skuadrës dhe gjobë prej 5,000 euro.

Hedhje sendesh në fushë dhe gjobë prej 45,000 eurosh, transmetim mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv me gjobë prej 10,000 eurosh. Kjo e çon shumën në një rekord negativ për klubin rrogozhinas, i cili për herë të parë në historinë e tij po përballet me dënime të tilla në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, edhe NK Olimpija Ljubljana nuk i shpëtoi gjobave. Në ndeshjen e parë, më 7 gusht 2025 në Slloveni, që përfundoi pa gola, UEFA ndëshkoi skuadrën vendase me një gjobë prej 15,125 euro, për shkak të hedhjes së sendeve në fushë nga tifozët.

Top Channel