U përfol si kandidate e PD në garën për Bashkinë e Tiranës, Jorida Tabaku “thyen” heshtjen: Mora vota për në Parlament, do të…

17/09/2025 16:36

Deputetja më e votuar e opozitës, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një intervistë për Top News, ku theksoi se është votuar për të qenë në parlament dhe se do vazhdojë të jetë aty.

“Kam marrë votë për të qenë në Parlamentin e Shqipërisë dhe do vazhdoj të jem në parlament”, u shpreh Tabaku.

E pyetur nëse shikon ndonjë figurë përbashkuese nga opozita, Tabaku tha se ka shumë, por mendon se ajo mbetet në dorën e strukturave të opozitës.

Deputetja tha gjithashtu se vendimi për të shkrirë nga mazhoranca është një tentativë për të shmangur opozitën nga rruga e integrimit europian.

“Ky është një hap pas për kontrollin dhe balancën e pushteteve, është hap pas dhe në procesin e integrimeve që kërkon që kërkon gjithëpërfshirje, por është një hap pas edhe në rolin e Kuvendit. Do jetë e pamundur tashmë të ushtrohet kontrolli mbi këtë proces dhe të ketë edhe përfshirje të opozitës në një komision që drejtohet nga mazhoranca. Fatkeqësisht kjo tregon që mazhoranca nuk e ka më prioritet integrimin”, tha deputetja e qarkut të Tiranës.

Për Tabakun futja në BE në vitin 2029 dhe 2030 është e pamundur.

“Aq herë sa ka hapur negociata në gjatë 10 viteve të shkuara, aq shanse ka që t’i përmbyllë për dy vite. Tani një gjë që nuk është bërë për 12 vite, mendoni që do të bëhet për dy vite. Ajo që ka ndodhur dje në Bruksel do ndodhë dhe në 2 tetor po në Bruksel, kanë qenë të programuara këtu e 6-7 muaj më parë. Të hapësh grupkapituj do të thotë që është bërë një analizë e legjislacionit shqiptar dhe po shikohet se çfarë angazhimesh ka marrë qeveria shqiptar për të afruar këtë legjislacion”, tha Tabaku.

Top Channel