
Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro, i cili u dënua me 27 vjet burg javën e kaluar për një përpjekje për grusht shteti, vuan nga mosfunksionimi i veshkave dhe do të duhet të mbetet në spital, thanë mjekët e tij të mërkurën.
Në arrest shtëpiak që nga fillimi i gushtit, ish-kreu i shtetit u shtrua në klinikën private DF Star dje pasdite për shkak të një sëmundjeje të papritur, sipas familjes së tij.
Bolsonaro është përballur me probleme serioze shëndetësore, veçanërisht pasi u godit me thikë në bark gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2018. Që atëherë ai i është nënshtruar të paktën gjashtë operacioneve, më i fundit në prill, i cili zgjati pothuajse 12 orë.
Sipas deklaratës mjekësore të DF Star, Bolsonaro u shtrua në klinikë “i dehidratuar, me takikardi dhe presion të ulët të gjakut”. Testet mjekësore treguan “anemi dhe funksion të dëmtuar të veshkave” dhe ish-presidenti do të mbetet nën vëzhgim mjekësor sot për të përcaktuar nëse ai ka nevojë për shtrim të mëtejshëm në spital.
Të martën, djali i tij i madh, senatori Flavio Bolsonaro, tha se babai i tij po vjellte dhe kishte lemzë të vazhdueshme që e lanë “pa frymë për pothuajse dhjetë sekonda”. Të dielën, ai kishte marrë kujdes mjekësor, përfshirë heqjen kirurgjikale të lezioneve të lëkurës.
Gjykata Supreme e Brazilit të enjten dënoi 70-vjeçarin Bolsonaro me 27 vjet e tre muaj burg për përpjekje për grusht shteti pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022 ndaj Presidentit në detyrë Luiz Inacio Lula da Silva.
Avokatët mbrojtës planifikojnë të shterojnë të gjitha mundësitë ligjore në dispozicion për të përmbysur vendimin. Deri atëherë, 70-vjeçari Bolsonaro do të mbetet në arrest shtëpiak.
Top Channel