
Kanë kaluar ditë nga ndeshja e fundit e Kombëtares dhe ende jehona vazhdon. Kjo për faktin se, në pak më shumë se një muaj, do të luajmë ndoshta ndeshjen finale të grupit ndaj Serbisë.
Edhe për faktin se fitorja me Letoninë na mban në lojë matematikisht, ndërsa sportivisht ekipi nuk bindi. Luan Pinari, ish-lojtar i Kombëtares, analizon për Top Channel paraqitjen e fundit të kuqezinjve.
“Është një situatë jo shumë normale, pasi ajo miqësore me Gjibraltarin nga ana teknike të lë shumë për të dëshiruar. Sipas meje, jo vetëm që tregoi ekipi i dytë që luajti me Gjibraltarin, por të njëjtën paraqitje tregoi edhe ekipi i parë ndaj Letonisë. Themi që ishte e njëjta paraqitje, pasi tregon gjendjen aktuale të skuadrës sonë, gjendjen e lojtarëve, minutat që kanë në këmbë – të cilat nuk janë të duhurat – dhe kjo u reflektua edhe në fushën e lojës, në ritmin që treguan”, thotë Pinari.
Po cila është zgjidhja dhe përse, apo kush është më tepër përgjegjës për këtë situatë dhe paraqitje, edhe ndaj një skuadre si Letonia, që konsiderohet e barabartë – për të mos thënë më poshtë – se ne, të paktën në letër?
“Trajneri është brazilian, por luan si europian, për mënyrën se si luan dhe si e vendos skuadrën. Ka të bëjë me lojtarët që përzgjedh për 11-shen e parë, pasi një lojtar që mund të ketë cilësi shumë të mira mbrojtëse është përzgjedhja e parë për trajnerin, por nuk janë ata lojtarë që përqindjen më të madhe e kanë në tiparet sulmuese. Ne kemi ende frikën që më mirë të jemi të sigurt mbrapa, me shpresën se do të dalë një gol përpara”, shton ish-futbollisti.
Ndërkohë, ndeshja me Serbinë po afron dhe atmosfera ndihet, sidomos në kampin e tyre, të cilët së fundmi ndryshuan edhe stadiumin dhe qytetin ku do të luhet ndeshja – nga Beogradi në një qytet dhe stadium shumë më të vogël.
“Është një situatë ku i gjithë presioni ishte mbi skuadrën serbe, dhe ndoshta ata kanë vepruar mirë nga ana sportive që shmangën ndeshjen në Beograd dhe e spostuan në një qytet tjetër më të vogël, që të mos e kenë atë presionin e madh sportiv. Por këto ndeshje janë si ato ndeshjet derbi, ku skuadrat apo lojtarët është shumë e thjeshtë për t’i motivuar. Por gjithsesi, për këtë motivim do të duhet të kesh edhe një formë të mirë sportive – për hir të së vërtetës, sidomos gjendje të mirë fizike – që të përballosh të tilla ndeshje. Skuadra jonë është disi mangët krahasuar me skuadrën e Serbisë në këtë përballje”, shprehet Pinari.
Top Channel