
“Arrest me burg” me afat 60- ditor ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, për 4 prej të arrestuarve në kuadër të operacionit policor të koduar XUEX për goditjen e skemave piramidale online dhe “Detyrim Paraqitje” për dy kamarierët Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj.
Korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni bën me dije se Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi, kanë mbërritur në gjykatë rreth orës 8:30 të ditës së sotme të shoqëruar nga dy furgonë policie, ndërsa në ambientet e jashtme ndodheshin familjarë të tyre.
Në seancën me dyer të mbyllura ata kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtar Genci Busho dhe prokurore Jonida Allushi.
Seanca është ndërprerë pas gati tre orësh ndërsa vendimi është dhënë në orën 14:30. Mësohet se para togave të zeza, 6 të akuzuarit kanë thënë se janë viktima të situatës. Ndërkohë, për mediat nëna dhe tezja e një prej të arrestuarve, kamarierit Emanuel Taullau, ka pohuar se nuk e dinin që kjo ishte e gabuar.
“Ia dhashë vetë lekët djalit”, ka thënë nëna e Emanuelit.
Mbi 6 të akuzuarit rëndojnë akuzat “Skema piramidale online” dhe “Mashtrim kompjuterik”. Ndërkohë operacioni i bluve të Fierit vijon dhe pritet që në ditët në vijim të ketë edhe arrestime të tjera, ndërsa në kërkim janë edhe çifti i bashkëshortëve Erledio dhe Alma Shebeku.
Operacioni u shtri në disa qytete, por filloi dhe u finalizua në Qarkun Fier, ku rezulton edhe numri më i lartë i të mashtruarve, veçanërisht në Lushnje dhe Divjakë, ku pjesë e skemës kanë qenë edhe punonjës të administratës shtetërore.
Top Channel