Sekretet e miqësisë 30-vjeçare mes Mbretit Charles dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Trump

17/09/2025 12:18

Ndryshe nga shumica e anëtarëve të delegacionit të Presidentit Donald Trump, për Scott Bessent vizita shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar nuk është një rast unik për t’u afruar me familjen mbretërore.

Përkundrazi, ky është thjesht kapitulli i fundit i një miqësie të gjatë dhe të jashtëzakonshme.

Sekretari amerikan i Thesarit, 63 vjeç, ka lidhje të ngushta me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën që datojnë prej më shumë se tre dekadash, duke përfshirë edhe rolin e tij në ndihmën për daljen publike si çift të tyre, pasi u bë një nga të besuarit e tyre më të afërt.

Bessent takoi për herë të parë princin Charles në vitin 1990, në rezidencën madhështore të një të afërmi të ngushtë në Charleston, gjatë një vizite mbretërore në Karolinën e Jugut. Ai u bë donator i rregullt dhe bujar i “Prince of Wales Foundation”, bamirësisë së Charles-it për projekte në arsim, shëndetësi, art dhe ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore.

Gjatë viteve të mëvonshme, duke jetuar në Londër, Bessent u bë pjesë e pandashme e darkave luksoze për mbështetësit kryesorë, duke marrë pjesë edhe në dy festimet për 50-vjetorin e princit në vitin 1998, në Hampton Court Palace dhe në Highgrove të Gloucestershire.

“Scott ka qenë mik shumë i qëndrueshëm prej kohësh me Mbretin dhe Mbretëreshën e sotme,” tha Will Trinkle, partneri i tij në atë kohë. Ai kujtoi një rast kur ishin në pritje për të takuar princin: Ishte në Buckingham Palace dhe zakonisht unë qëndroja pas, shkonte Scott me parë dhe pastaj unë. Na kishin thënë që princi donte të na prezantonte bashkë dhe pasi kaluam, Scott tha: Ky ishte një moment historik. Na u tha se ishim çifti i parë homoseksual i prezantuar para Princit të Uellsit. Charles gjithmonë na respektonte, na trajtonte si të barabartë dhe e trajtonte marrëdhënien tonë në të njëjtin nivel me të tjerët.”

Prezantimi fillestar i Bessent me Charles-in u bë nga Richard Jenrette, një kushëri i pasur dhe kryetar i Equitable Life Assurance Society. Jenrette e priti Charles-in në shtëpinë e tij të restauruar me dashuri në Charleston’s East Battery, duke ditur që princi ishte i apasionuar pas arkitekturës.

Qëndrimi në shtëpinë historike të shekullit të 19-të, Robert William Roper House, e bëri miqësinë midis Charles-it dhe Jenrette-s shumë të fortë dhe çoi në shkrimin e parathënies së librit të Jenrette, “Adventures with Old Houses.” Charles kishte thënë se nuk ishte çudi që disa e quanin Jenrette “një Trust Kombëtar për Ruajtjen e Trashëgimisë në një person të vetëm”.

Bessent, i cili iu bashkua kompanisë së financierit George Soros në vitin 1991 dhe udhëhoqi bastin mbi kolapsin e sterlinës që solli mbi 1 miliard dollarë fitime gjatë “Black Wednesday” në vitin 1992, ka një pasion të ngjashëm për restaurimin e shtëpive historike. Ai ka blerë dhe shitur mbi 30 rezidenca në Karolinën e Jugut, Floridë, Nju Jork dhe vende të tjera.

Pak para se Bessent dhe Trinkle të prezantoheshin si çift në një aktivitet bamirësie të Charles-it, Camilla Parker Bowles – asokohe e fejuar me Charles-in – i ftoi ata për drekë në shtëpinë e saj private në fshatin Ray Mill House në Wiltshire.

Ata u bënë pjesë e një strategjie të ndërtuar nga Mark Bolland, zëvendëssekretari privat i Charles-it, për të prezantuar Camillën para publikut. Për këtë qëllim, ajo u shoqërua me djalin e saj në darkë në restorantin “The Ivy” në qendër të Londrës, në fund të vitit 1998.

Në shtator të vitit të ardhshëm, Bessent dhe Trinkle ndihmuan në organizimin e vizitës së parë të pavarur të Camillës në Nju Jork. Ajo kaloi dy netët e para në shtëpinë e çiftit në East Hampton, Long Island, duke i impresionuar me bodysurfing në Atlantik.

“E morëm në fund të shkallëve të Concorde-it,” tha Trinkle. “Nuk hyri në aeroport, por u procesua në hyrjen e avionit dhe hipi direkt në avionin e Scott-it. Mendoj se shtypi nuk ishte shumë i kënaqur me këtë.”

Camilla respektoi rregullin e tyre të shtëpisë për të mos pirë brenda, duke ndezur cigaren vetëm në ballkon. Megjithatë, kur paparacët mbërritën, u bë një përjashtim. “Iu kërkua të pinte jashtë dhe ajo e pranoi me sportivitet,” tha Trinkle. “Më pas, kur paparacët e morën vesh, natën e fundit mbyllëm të gjitha perdet dhe Scott i tha: ‘Tani mund të pish brenda’.”

Bessent gjithashtu ofroi një helikopter për ta çuar Camillën në Nju Jork për pjesën publike të turit të saj. Megjithatë, ajo gjeti kohë që Bessent dhe Trinkle ta shoqëronin në një shfaqje “Cabaret” në Studio 54.

Top Channel