
Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e një konference ndërkombëtare për projektin e Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame, një qendër e re kulture, ku do të ekspozohen objekte e libra me vlerë të rrallë.
“Besoj që kjo nisëm e bukur nuk ka nevojë për shumë fjalë nga ana ime, aq më tepër pas prezantimit interesant edhe të mirëstudiuar nga ana e arkitektit. Unë kam bindjen që këtu është krijuar energjia e duhur me djemtë e koleksionit, me arkitektin, nga ana tjetër me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës. Kështu janë të gjitha forcat e nevojshme për të ndërtuar më në fund një hapësirë të munguar në Tiranë, të artit dhe kulturës islame. Është një hapësirë e munguar dhe për atë arsye që shumë bukur e shpjegoi arkitekti, që kultura dhe arti islam janë pjesë integrale të kulturës së Mesdheut.
Pavarësisht se ky muze në përmasën e vetë është modest, krahasuar me muzetë që patë aty, por besoj që është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi, që për shumë kënd është një dëshmi e munguar dhe madje edhe një dëshmi e pamundur, sepse në mendjen dhe në idenë e shumëkujt, kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Europën, nuk kanë lidhje me këtë pjesë të Kontinentit ku ne jemi. Madje këtë pasuri të paçmuar të kulturës tonë, shumë e shohin si një kulturë të trashëguar nga një pjesë e historisë.
Dëshmia dhe kultura falë një muzeu të tillë është një domosdoshmëri dhe vlerë e shtuar për kryeqytetin. Jemi me fat që janë bashkuar këto forca dhe na jepet mundësia që këtë nisëm ta finalizojmë në këtë godinë, që siç e përshkroi arkitekti. Për më tepër, jemi me fat, sepse jo vetëm që do të kthejmë në identitetin e vetë të plotë godinën, por kemi mundësinë që ta kemi këtë muze në qendër të Tiranës. Ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar,” tha Rama.
Top Channel