Iu anulua fitorja në garën presidenciale në Rumani në raundin e parë, kandidati i ekstremit të djathtë akuzohet për grusht shteti

17/09/2025 17:01

Ish-kandidati presidencial rumun, anti-europian, Calin Gheorghescu akuzohet për përpjekje për grusht shteti pasi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të dhjetorit të kaluar u anuluan, teksa politikani konservator përballet me një dënim me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

Horatio Potras, një ish-legjionar i Legjionit të Huaj Francez dhe udhëheqës i milicisë në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe 20 individë të tjerë, u akuzuan gjithashtu.

Çështja bazohet në një bastisje të planifikuar në kryeqytetin rumun, Bukuresht, më 8 dhjetor, e cila u pengua nga policia.

Prokurorët rumunë po përshkruajnë një komplot që synonte rendin kushtetues të vendit, duke përfshirë Gheorgheescu, Potra, grupin e tyre, si dhe lidhje të dyshuara me shërbimet e inteligjencës së huaja, sipas BBC.

Potra dhe të tjerë janë akuzuar për nxitjen e grushtit të shtetit, ndërsa Gheorghescu akuzohet për komplot me Potra-n.

Prokurorët pretendojnë se Gheorghescu u takua me Potran dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij në një fermë kuajsh në dhjetor, menjëherë pasi fitorja e kandidatit presidencial u anulua.

Gheorghescu fillimisht mohoi se takimi kishte ndodhur, një pretendim që ai e pranoi më vonë pasi fotot u botuan në median rumune. Megjithatë, ai mohon se ata diskutuan planet për të organizuar një kryengritje.

Në fund të shkurtit, policia bastisi disa vende në Rumani, duke zbuluar një sasi të madhe armësh, ari dhe parash, me të cilat, sipas akuzave, grupi i Potras planifikonte të organizonte një marrje me dhunë të pushtetit.

Prokurorët thonë se Potra nuk është aktualisht në vend dhe mund të ketë kërkuar azil në Rusi.

63-vjeçari Gheorghescu shkaktoi një surprizë me vendin e tij të parë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë nëntorin e kaluar.

Ky rezultat u anulua nga Gjykata Kushtetuese disa ditë para se të zhvillohej raundi i dytë, mes akuzave për ndërhyrje ruse.

Shërbimet e inteligjencës rumune supozojnë se prania dhe popullariteti i tij në mediat sociale u rritën nga një operacion masiv ndikimi, i kryer nga jashtë, që synonte të ndikonte në rezultatin e votimit.

Në një konferencë për shtyp, prokurori i përgjithshëm i Rumanisë i quajti zgjedhjet e anuluara të vitit 2024 “rezultat i një lufte hibride të orkestruar nga Rusia”.

Ai pretendoi se sulmet kibernetike në aeroporte dhe institucione publike përkuan me një fushatë dezinformimi online të kryer përmes fermave të trolleve, robotëve dhe përmbajtjes së gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Sipas studiuesve, më shumë se 2,000 faqe në Facebook u përdorën për të amplifikuar mesazhet në favor të Gheorghescut, ndërsa rrjetet TikTok me mbi 20,000 llogari të automatizuara rritën fushatën e tij në ditët para votimit.

Pasi Gheorgheescut iu ndalua regjistrimi si kandidat, aleati i tij Gheorghe Simion, udhëheqës i partisë së krahut të djathtë AUR, e zëvendësoi atë në zgjedhjet e balotazhit të majit.

Simion fitoi në raundin e parë, por në fund u mund nga Nicucor Dan, kryetari liberal dhe pro-europian i Bukureshtit, në raundin e dytë.

Gheorghescu ende nuk ka komentuar mbi akuzat, megjithëse këtë muaj ai akuzoi autoritetet rumune për qeverisje me “mashtrim, intrigë dhe përçarje”.

Presidenti Dan tha se raporti i prokurorëve ishte “dëshmi” se Rusia ishte përfshirë në “dezinformim sistematik” në Rumani dhe ishte përpjekur të ndikonte në zgjedhjet e vitit 2024.

Data për gjyqin e Gheorghescu-t nuk është caktuar ende, por ai mund të fillojë në fillim të vitit 2026.

Top Channel