Hapja e garës për drejtimin e SPAK, Ambasadori gjerman në Tiranë: Kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit nën udhëheqjen e Dumanit

17/09/2025 18:56

Me nisjen zyrtare të aplikimeve për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka ardhur reagimi nga Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, i cili thekson rëndësinë e një procesi të drejtë, të pavarur dhe të bazuar në merita.

Në një deklaratë publike, ambasadori vlerësoi kontributin e deritanishëm të Altin Dumanit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë.

Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.

Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, deklaroi Bergner.

Top Channel