
Kryetari i Partisë Demokratike në Kavajë, Hysen Kadiu, i pari i PD-së në Primare, ka kritikuar deputeten Mesila Doda, e cili vendosi sot të deklarohet si kandidate e pavarur, ndonëse ishte në listën e sigurtë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas Kadiut, gabimi nis që me faktin që kryedemokrati Sali Berisha, që e vendosi në listë të mbyllur, edhe pse sipas tij, Doda ka votuar sipas interesit të saj edhe në legjislaturën e kaluar. “Problemi qëndron tek besimi i pamerituar, duke privuar nga kjo e drejtë ata demokratë që e meritojnë dhe kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën dhe jo hilet në parlament”, thotë Kadiu në një reagim në rrjetet sociale.
“PD ka sot një deputet më pak nga ata që u zgjodhën më 11 maj. Mesila Doda ka vendosur të vetëshpallet deputete e pavarur edhe pse ishte në listën e sigurt të PD.
Nuk ka asnjë surprizë nga ky veprim. Ajo dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar. Kanë votuar sipas interesit të tyre dhe të qeverisë dhe asnjëherë nuk janë rreshtuar në front me demokratët. Ndoshta po t’u jepet mundësia do e bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Sepse problemi nuk është Mesila, Shpëtimi apo modeli i tyre në politikë. Problemi qëndron tek besimi i pamerituar, tek vlerësimi dhe pozicionimi i tyre në lista të sigurta, duke privuar nga kjo e drejtë ata demokratë që e meritojnë dhe kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën dhe jo hilet në parlament”.
Top Channel raportoi sot se në deklarimin që Doda ka bërë në Kuvend shprehet se nuk është pjesë e asnjë grupi parlamentar, duke u distancuar nga Partia Demokratike.
Sali Berisha i dha mundësinë dy aleatëve të tij, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu, të krijonin grupin e tyre parlamentar, por Mesila Doda preferoi të mos ishte as në grupin e PD dhe asaj të Fatmir Mediut që grupoi aleatët te gjithë bashkë, përfshirë kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.
Top Channel