41.2 miliardë lekë tepër në arkën e shtetit, tatimi mbi pagat dhe kontributet shoqërore e shëndetësore po mbushin buxhetin

17/09/2025 15:15

Buxheti i shtetit për 8 muajt e parë të vitit ka arritur të mbledhë më shumë të ardhura dhe të kryejë më pak shpenzime.

Treguesit fiskalë nga Ministria e Financave për 8 mujorin bëjnë të ditur se janë arritur të mblidhen rreth 498.6 miliardë lekë, 33.9 miliardë lekë ose 7.3 % më shumë.

Janë të ardhurat e siguruara nga kontributet shëndetësore dhe shoqërore si dhe tatimi mbi pagën që kanë kontribuar më së shumti. Ndikuar kryesisht nga reforma anti informalitet e ndërmarrë nga qeveria si dhe rritja e pagave.

Në të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore të cilat arritën në 173.4 miliardë lekë, kanë kontribuar ndjeshëm dhe  TVSH e arkëtua neto, tatimi mbi fitimin neto dhe taksat nacionale.

Ndërsa të ardhurat e mbledhura nga taksat doganore në këtë 8 mujor arritën në 158 miliardë lekë me zë kryesor TVSH në import, të ardhurat nga akciza dhe më pak taksat doganore dhe renta minerare.

Më shumë të ardhura por më pak shpenzime. Për periudhën 8-mujore të vitit 2025 qeveria ka shpenzuar 457.4 miliardë lekë në investime publike. Një realizim I planit vjetor në masën e 55.4%.

Përballë të ardhurave në rritje dhe investimeve që janë kryer, niveli I suficitit arriti në 41.2 miliardë lekë.

Top Channel