
I rrethuar mes familjarëve e miqve në ditëlindjen e 85-të, Aktori i Madh Reshat Arbana dha një mesazh të fortë, si një testament jete…
“Ky ishte stacioni im i 85-të. Unë nuk di në arrij dot ndonjë stacion tjetër, po në iksha nga kjo botë, koka do të mbetet pas dhe në zemër do të kem pishmanllëkun e madh dhe dëshirën e madhe të shoh në këtë Shqipërinë time të dashur demokracinë e vërtetë”, tha “Nderi i Kombit”.
Lum ai që jeton gojëmbël dhe zemërbardhë, thotë artisti mes emocionesh…
“Ta duam më shumë njëri-tjetrin, të mos luftojmë njëri-tjetrin, të mos kacafytemi, mos të vritemi, mos të shahemi, se kjo Shqipëri e bukur po na lihet e bukur, por kam frikë se një ditë… uroj nuk ndodh gjë“, u shpreh Arbana.
Në këtë ditë të veçantë, urimet ishin të shumta nga Komuniteti artistik dhe akademik, që e vlerësojnë Reshat Arbanën si artistin e pazëvendësueshëm, përfaqësuesin e denjë të kombit shqiptar
“Mënyra se si ai u fut në fushën e artit dhe se si u bë artist skene dhe jo aktor. Aktor ka shumë, artistë të vërtetë ka pak“, tha studiuese Përparim Kabo.
“Reshati, nëpërmjet artit të tij, ka përshkuar jugun dhe veriun, ka bashkuar gegët dhe toskët. Sepse Reshati është një kryeqytetas, ka bashkuar gjithçka çfarë ka Tirana“, u shpreh miku i tij, Shkëlqim Hajdari.
Me talentin e rrallë, përkushtimin dhe energjinë shpërthyese në skenë, Arbana ka sjellë rreth 40 role në kinematografi e qindra të tjera në teatër, ndërsa thotë me binde se filma si Nëntori i Dytë nuk mund të ribëhen.
“Ne kemi si Kinostudio rreth 300 filma, 200 filma unë po i lë. 100 filma nuk i jap kurrë, sepse janë filma që nuk i bëjmë dot sot. Nuk e bëjmë dot as Çerçiz Topullin, as Nëntorin e Dytë, nuk kemi mundësi se për Ismail Qemalin nuk mund të gjejmë Sandër Pros më, është shumë e vështirë“, tregon aktori.
Dashuria për artin nuk shuhet kurrë dhe për Reshat Arbanën, edhe pas 85 vitesh jetë e gjysmë shekulli karrierë, ka ende ëndrra në sirtar…
“Kam bërë role që nuk i kisha imagjinuar, i kam hyrë me frikë të madhe, por në fund dolën mirë. Sigurisht, falë punës së madhe, përkushtimit… Ali Pashën do të kisha qejf ta bëja, jam edhe në moshë që i ngjasoj Ali Pashë Tepelenës. Figurë kontraveste është, por duhet në fakt”.
Me zërin e tij unik e tejet imponues, Nderi i Kombit i dha zë shumë vargjeve poetike, përfshirë veprën e Gjergj Fishtës, për të cilën shprehet se ia le trashëgimi brezave të rinj..
Top Channel