
Një konflikt për motive pronësie në zonën e Freskut ka përfunduar me dhunë fizike ndaj një shtetasi dhe ka çuar në nisjen e procedimeve penale ndaj tre personave, si dhe në shpalljen në kërkim të njërit prej tyre.
Sipas Policisë së Tiranës, shtetasi S. A., 27 vjeç, së bashku me kushëririn e tij P. A., 33 vjeç, kanë goditur me grushte shtetasin D. K. Paraditen e sotme. Gjithashtu, dyshohet se S. A., 52 vjeç, ka kanosur viktimën nëpërmjet telefonit.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, dy prej të dyshuarve (P. A. dhe S. A., 52 vjeç) janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa S. A., 27 vjeç, është shpallur në kërkim. Policia po punon për kapjen e tij dhe bllokimin e automjetit me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes.
Për ngjarjen është pezulluar nga detyra një punonjës policie, inspektor P. M., ndaj të cilit kanë nisur procedurat disiplinore për mosveprim të pajustifikuar në rastin në fjalë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Top Channel