Pamje apokaliptike në Gaza, mijëra palestinezë kërkojnë arratisjen teksa tanqet izraelite mbushin rrugët

16/09/2025 21:39

Operacioni i ri tokësor i ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës është në kulmin e tij, ndërsa udhëheqja ushtarake kërkon të arrijë goditje të reja kundër Hamasit, me qëllimin përfundimtar identifikimin e udhëheqësit të ri të krahut ushtarak të organizatës, al-Haddad.

Në të njëjtën kohë, mijëra palestinezë po largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të dëshpëruar të një rruge arratisjeje, ndërsa Qyteti i Gazës po bombardohet.

Në një video të publikuar nga IDF, forcat nga Divizioni i 98-të shihen duke hyrë në qytet, të mbështetura nga Forcat Ajrore dhe Marina Izraelite.

Ushtria thotë se dhjetëra “objekte terroriste” u goditën, duke përfshirë poste vëzhgimi dhe ndërtesa të mbushura me eksplozivë.

Operacioni i Forcave të Mbrojtjes Izraelite po hyn në një fazë më agresive, thonë ata, me Divizionin e 98-të që merr kontrollin e zonave në Qytetin e Gazës, ndërsa Divizioni i 162-të tashmë ka marrë kontrollin e zonave rurale.

IDF tha se Divizioni i 36-të pritet të bashkohet me operacionin në ditët në vijim.

Ushtria, e udhëhequr nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Eyal Zamir, po thekson kthimin e pengjeve si objektivin kryesor të operacionit, duke deklaruar se ky proces përbën një “angazhim moral lufte dhe kombëtar.

Zamir, në një deklaratë, tha se “kthimi i pengjeve është një detyrë me rëndësi kombëtare dhe një detyrim moral”.

Top Channel