
Kryeministri Edi Rama i ka uruar ditëlindjen e 73-të ish-liderit socialist, Fatos Nano, me një mesazh të veçantë të bërë publik në rrjetet sociale.
Rama thotë se ditëlindja e tij përkon me një ditë shumë të rëndësishme të vendit, atë të çeljes së katër grupkapitujve të tjerë të anëtarësimit në BE.
Rama shkruan se rrugëtimi i mirë dhe i shpejtë i Shqipërisë drejt BE, është falë edhe meritës së madhe të Nanos, që pa të shkruan kryeministri, rruga do të kishte qenë shumë e gjatë.
“Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet.
Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë. Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar”, shkruan Rama.
Top Channel