
Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim mësuesin që ngacmonte vajzat e mitura.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se ngjarja ka ndodhur më nëntor të vitit 2024, kur prindërit e dy nxënëseve, të identifikuara me inicialet I.B. dhe A.K., denoncuan në polici mesazhe me përmbajtje seksuale të dërguara nga mësuesi përmes aplikacionit WhatsApp.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ ndaj të miturve, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1449/2024, rezultoi se ngjarja ka ndodhur më nëntor të vitit 2024, kur prindërit e dy nxënëseve, të identifikuara me inicialet I.B. dhe A.K., denoncuan në polici mesazhe me përmbajtje seksuale të dërguara nga mësuesi përmes aplikacionit ËhatsApp.
Vajzat kanë deklaruar se komunikimet kishin karakter ngacmues, duke përfshirë kërkesa të papërshtatshme dhe cenim të dinjitetit të tyre.
Prokuroria administroi prova të shumta, përfshirë kqyrjen e aparateve celulare të të miturave dhe të të pandehurit, ekspertiza teknike të bisedave, si dhe deklarimet e vajzave të marra në prani të psikologëve dhe përfaqësuesve ligjorë.
Raportet e ekspertimit psikologjik treguan se ngjarja ka shkaktuar gjendje ankthi dhe stresi të theksuar tek të miturat, duke imponuar nevojën për mbështetje të specializuar terapeutike.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë thekson se rasti në fjalë përmbush të gjithë elementët e veprës penale të “Ngacmimit seksual” ndaj fëmijëve, një krim që ligji shqiptar e parashikon si vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Top Channel