
Një skenë e veçantë të mërkurën e 17 shtatorit ndezë dritat në kryeqytetin e Kosovës.
“Netët e filmit shqiptar”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë do të sjellë jo vetëm një cikël shfaqjesh, por një histori rrugëtimi të kinematografisë shqiptare. Ambasadori Petrit Malaj këtë nismë e cilëson si diplomaci kulturore në veprim: “Ne këtë e quajmë diplomaci kulturore në veprim ku nuk flitet vetëm nëpërmjet fjalës e veprimeve, por flitet me historinë tonë të përbashkët, në anën e kulturës, me artin”.
Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, ceremonia hapëse sjellë një nga filmat më të mirë shqiptar e nderon një figurë të rëndësishme të kinematografisë, Dhimitër Anagnostin.
“E fillojmë me të madhin Dhimitër Anagnosti edhe në shenjë homazhi në nder të tij me filmin fantastik, “Përrallë nga e kaluara”. Kalojmë më tej te Xhanfize Keko me filmin “Kur xhirohej një film”, shkojmë më tej me filmin “Tomka dhe shokët e tij”, apo me filmin, “Kapedani”, me filmin e famshëm komedinë shqiptare”, tha Malaj.
Shfaqja e filmave shtrohet përgjatë tre muajve dhe e veçanta është se filmat më klasikë shqiptarë shfaqen të rikonstruktuar, me synimin për të arritur edhe tek të rinjtë e Kosovës.
“Ne do të kemi gjashtë filma që do i shfaqim. Do i shfaqim një natë për publikun e gjerë dhe një natë për nxënësit e shkollave këtu në Prishtinë. Ne duam që të shkojmë më tej tek këta të rinj që padyshim e duan artin shqiptar, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri”, shtoi ambasadori.
Filmat që do të shfaqen janë edhe dëshmi e një të kaluare të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. E nisur nga ora 19:00 më 17 shtator, qytearët do të mund t’i shohin pa pagesë në qendër të Prishtinës.
Top Channel