“Kosova dhe Shqipëria po bëjnë show”/ Rrëfimi i Fatmir Limajt në “Shqipëria Live”, del foto me James Rubin: Ju tregoj si e njoha në luftë

16/09/2025 18:28

Ish-udhëheqësi ushtarak i UÇK-së, Fatmir Limaj, e ka konsideruar një show të gjithë situatën e krijuar në Hagë, aty ku po mbahet gjyqi për të akuzuarit e luftës në Kosovë.

Në një lidhje direkte për ‘Shqipëria Live’, ai ka rrëfyer se gjatë 20 viteve të fundit është mbjellë një propagandë anti-njerëzve të luftës.

Ai shprehu kundërshtimin e tij sa i përket Gjykatës Speciale aty ku seanca e dëgjimit të dëshmive vijon prej tre ditësh, teksa u ndal edhe tek deklaratat e zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin.

“E para, zoti Rubin e ka ndjekur rrugëtimin dhe sfidën e UÇK-së, dhe projektin e Lirisë së Kosovës. Si fillim, UÇK është parë si një organizatë terroriste nga shumë vende perëndimore dhe e kanë parë lëvizjen tonë me shumë skepticizëm”, tha ai për “Shqipëria Live”.

Ai tregoi se është takuar me Rubin në vitin 2000 në Washington.

Foto e paraqitur është e vitit 2000 në Washington në kohën kur përgatitet kandidatura për presidencë e Gore pas presidentit Klinton. Ne bashkë me kryeministrin Thaçi kemi qenë bashkë në konventën e madhe të nominimit të presidentit të ri të Amerikës. E gjithë administrata e atëhershme e Klinton-it kanë qenë të gjithë në mbështetje të nominimit të Al Gore-it. Ne ishim të ftuar special në Los Angeles të Klinton”, tha ai.

Si një nga njerëzit e parë të përballur me Hagën e Ish-Jugosllavisë, Limaj vazhdon të jetë ende kundër zhvillimeve të fundit madje duke votuar me një votë kundër edhe në Parlamentin e Kosovës.

Unë që nga dita e parë kam qenë kundër kësaj gjykate, kam arsyetuar dhe votuar kundër në parlamentin e Kosovës. Unë jam një nga njerëzit e parë të UÇK-së që jam ballafaquar me Hagën e Ish-Jugosllavisë dhe ka qenë diçka e padrejtë në lidhje me Kosovën. As Kosova dhe as Shqipëria nuk ka bërë mjaftueshëm dhe kjo çfarë po shohim në Hagë është diçka që është mbjellë 20 vite e radhë si propagandë anti-njerëzve te luftës. Me tendencën për të ndotur figurat tona nuk kanë lënë asnjë mjet pa përdorur. Për 20 vite propaganda anti-liri, anti -UÇK dhe anti-drejtuesve të UÇK-së ka sjellë pastaj te Gjykata Speciale”, tha ai.

Top Channel