
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka mbështetur një fushatë të gjerë “doxing”, publikim i të dhënave personale, ndaj personave që dyshohet se kanë festuar ose nuk kanë shprehur mjaftueshëm keqardhje për vrasjen e aktivistit të djathtë Charlie Kirk.
Duke qenë i ftuar si drejtues në podcast-in e Kirk, Vance tha se ata që shprehin gëzim për vrasjen e komentatorit duhet të “thirren publikisht”.
“Telefononi edhe punëdhënësin e tyre. Ne nuk besojmë në dhunë politike, por besojmë në qytetari. Dhe nuk ka qytetari kur festohet një atentat politik”, tha ai.
Në ditët e fundit, dhjetëra persona nga fusha të ndryshme – përfshirë një pilot avioni dhe punonjës akademikë – janë pushuar nga puna pas komenteve të tyre për vdekjen e Kirk.
Një faqe interneti anonime, e cila grumbullon raportime për të ashtuquajturin “ekstremizëm anti-Kirk”, pretendon se ka marrë mbi 63 mijë denoncime. Fillimisht e quajtur “Expose Charlie’s Murderers”, faqja u riemërua në “Charlie Kirk Data Foundation”, por është raportuar se ka qenë disa herë e sulmuar nga hakerë dhe aktualisht nuk funksionon.
Mbështetësit e Trump kanë lidhur vrasjen e Kirk – pa prova konkrete – me atë që e quajnë një “rrjet të majtë terrorist” të financuar nga fondacione progresiste, duke shtuar frikën për një kufizim drastik të lirisë së shprehjes në vend.
Në podcast, përveç Vance ishte edhe Stephen Miller, ish-zëvendësshefi i stafit të Trump, i cili premtoi përdorimin e çdo burimi shtetëror për të “identifikuar, shkatërruar dhe çmontuar” këto rrjete, në emër të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, disa nga ata që janë vënë në shënjestër nuk kanë festuar vdekjen e Kirk, por thjesht kanë rikujtuar deklarata të tij kontroverse, përfshirë kritikat ndaj Aktit të të Drejtave Civile dhe mbrojtjen e Amendamentit të Dytë mbi armët.
Shtete republikane si Florida, Oklahoma dhe Teksasi kanë nisur hetime ndaj mësuesve të dyshuar për komente “të papërshtatshme”, ndërsa ushtria amerikane ka njoftuar se do të ndëshkojë trupat që “tallen ose gëzohen” me vrasjen e Kirk.
Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim mund të kujtojë periudhën e errët të McCarthyismit në vitet ’50, kur qindra qytetarë amerikanë u akuzuan padrejtësisht si komunistë dhe humbën karrierën.
Top Channel