Izraeli nis tjetër ofensivë në Gaza, i bën thirrje banorëve të largohen, Netanjahu: Ndodhemi në një fazë kritike të luftës

16/09/2025 10:49

Izraeli ka nisur një inkursion tokësor në qytetin e Gazës, thanë dy zyrtarë izraelitë për CNN. Ky veprim e përshkallëzon luftën, duke sfiduar dënimin ndërkombëtar dhe kundërshtimet nga familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të evakuohen nga qyteti i Gazës, duke thënë se po shkatërron infrastrukturën e Hamasit në qendrën më të madhe urbane të enklavës.

“Qyteti i Gazës konsiderohet zonë e rrezikshme luftarake dhe qëndrimi aty ju vë në rrezik,” tha në X zëdhënësi arab i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee.

IDF u kërkoi banorëve të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur” përmes Rrugës Al-Rashid dhe të shkojnë në jug të qytetit të Gazës, “me automjet ose në këmbë.”

“Bashkohuni me mbi 40% të banorëve të qytetit që e kanë lënë për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të dashurve të tyre,” tha Adraee.

CNN nuk mund të verifikojë nëse 40% e banorëve kanë braktisur qytetin.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan muajin e kaluar se planet e Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës do të vinin rreth 1 milion palestinezë që jetojnë aty në rrezik zhvendosjeje të detyruar.

Nga ana e tij, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se një “operacion intensiv” ka filluar në Gaza.

“Ne filluam një operacion intensiv dje në Gaza,” tha ai gjatë seancës hapëse në gjyqin për korrupsion që po zhvillohet kundër tij.

“Shteti i Izraelit ndodhet në një fazë kritike të kësaj lufte dhe ka pasoja,” tha ai, sipas një zëdhënësi të kryeministrit.

Top Channel