Edicioni i 20-të i Festivalit për të Drejtat e Njeriut, deri më 20 shtator do të shfaqen 36 filma në disa institucione në Tiranë

16/09/2025 16:26

“Të Drejtat e Njeriut në Epokën Digjitale” është tema e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që nisi mbrëmjen e kaluar në Akademinë Marubi.

Kujtim Çashku, drejtori ekzekutiv në IHRFFA tha: “20 vite së bashku, festivali feston 2 dekada që nga krijimi dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë rrugëtim”.

Për këtë edicion janë përzgjedhur 36 filma nga e gjithë bota, që kanë në fokus liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ted Orlin, aktivist për të drejtat e njeriut u shpreh: “Bota po përballet me luftëra, por duhet të besojmë se angazhimi unë për të drejtat e njeriut nuk do të humbasë mes dramave të 2025. Tema e këtij viti është provokuese. Ne po merremi në epokën digjitale. Si do t’i trajtojmë të drejtat e njeriut tani që kemi inteligjencën artificiale?”.

“Djali me pantallona rozë”, historia e një 15-vjeçari që i jep fund jetës pas ngacmimeve online ishte filmi që çeli festivalin, i cili do të vijojë me shfaqjet e prodhimeve të tjera kinematografike në disa lokacione në Tiranë, përfshirë Akademinë Marubi, Qendrën për Hapje dhe Dialog apo gjimnazet e kryeqytetit.

Top Channel