Angli/ Vetëvrasja e shqiptarit në anijen-hotel, Home Office nuk iu përgjigj shqetësimit për shëndetin e tij mendor

16/09/2025 18:25

Në ditën e dytë të një procesi gjyqësor ku po analizohet vetëvrasja e një shqiptari në vitin 2023 në anijen-hotel ka dalë në pah neglizhenca totale e Home Office, Ministrisë së Brendshme angleze.

Agjencia britanike e lajmeve, “PA”, të cilës i referohet Top Channel shkruan se Leonard Farruku, 27 vjeç, u gjet i pavetëdijshëm në një kabinë dushi në Portin e Portlandit, më 12 dhjetor 2023. Ekzaminimi pas vdekjes zbuloi se shkaku i vdekjes ishte kompresion në qafë dhe pezullim me ligaturë.

Motrat e tij, Marsida Keci dhe Jola Dushku, kanë ngritur dyshime se si vëllai i tyre, i cili sipas tyre kishte probleme me shëndetin mendor që nga vdekja e prindërve, u lejua të transferohej në anijen-hotel.

Hetimi ka treguar se Farruku ishte akomoduar më parë në një hotel në Paignton, Devon, ku gjatë vitit 2023 tregoi sjellje agresive, përfshirë dëmtimin e mobiljeve, grindje me banorë të tjerë dhe përpjekje për të goditur policinë. Ai gjithashtu kishte bërë komente seksuale ndaj një gruaje dhe kishte refuzuar trajtime për shëndetin mendor.

Nia Dowd, udhëheqëse e ekipit të mbrojtjes për Clearsprings Ready Homes, tha se stafi e konsideronte Leonardin si një rast me “probleme serioze të shëndetit mendor”. Ajo ka dërguar një email urgjent në Ministrinë e Brendshme për të ngritur shqetësime lidhur me transferimin e tij në anijen-hotel më 3 nëntor, por nuk ka marrë përgjigje.

Dowd shtoi se shëndeti i tij mendor duhej vlerësuar para transferimit, por për shkak të vendimit të Ministrisë së Brendshme për ta zhvendosur atë, kjo nuk u bë. Ajo mësoi për vdekjen e Leonardit vetëm nga mediat.

Hetimi mbi ngjarjen vazhdon, ndërsa mbeten të hapura pyetje mbi përgjegjësitë e autoriteteve dhe mungesën e veprimeve për kujdesin e tij.

Top Channel