
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, me pasojat e sulmit të Izraelit në territorin e Katarit në qendër të diskutimeve.
Sulmi i javës së kaluar, që kishte në shënjestër udhëheqës të lartë të Hamasit në Doha, një vend aleat i ngushtë i SHBA-së, shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare dhe u kritikua edhe nga presidenti Donald Trump. “Presidenti nuk ishte i kënaqur me këtë zhvillim. As ne. Tani duhet të shohim përpara dhe të gjejmë rrugëdalje,” tha Rubio përpara takimit.
Takimi ndodh në të njëjtën kohë me samitin e liderëve arabë në mbështetje të Katarit, ku kryeministri i këtij vendi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të ndalojë standardet e dyfishta dhe të ndëshkojë Izraelin për shkeljen e sovranitetit.
Katarit, i cili strehon një bazë të madhe ushtarake amerikane, i është njohur një rol kyç në përpjekjet diplomatike për ndaljen e luftës në Gaza. Prej kohësh, ky vend shërben si ndërmjetës për negociata indirekte mes Hamasit dhe Izraelit.
Të dielën, Netanyahu e quajti marrëdhënien SHBA-Izrael “po aq të qëndrueshme sa gurët e Murit të Lotëve”, gjatë një vizite simbolike me Rubio-n dhe ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee. Të dy politikanët shmangën pyetjet e gazetarëve lidhur me sulmin në Katar.
Në axhendën e diskutimeve mes Rubio dhe Netanyahu pritet të jetë edhe plani izraelit për marrjen e kontrollit të qytetit të Gazës, si dhe vazhdimi i ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërkohë, Izraeli ka vijuar me shkatërrimin e ndërtesave banimi në Gaza City gjatë fundjavës dhe sipas burimeve izraelite, është gati të nisë operacionet tokësore në lagjet perëndimore të qytetit. Forcat izraelite u kanë bërë thirrje civilëve të largohen nga qyteti dhe të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës, por shumë prej tyre thonë se nuk kanë mundësi financiare, ose se as jugu nuk është i sigurt për shkak të sulmeve ajrore që janë zhvilluar edhe atje.
Takimi Rubio-Netanyahu vjen përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet javën e ardhshme, ku pritet që disa nga aleatët më të ngushtë të SHBA-së, përfshirë Britaninë, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën, të njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës.
Top Channel