
“Për’puthen”, programi më i madh i dashurisë në vendin tonë, nis sot sezonin e shtatë.
Ky edicion vjen plot risi, duke nisur që nga autorësia, kur moderatorja Megi Pojani dhe Neda Balluku premtojnë të papritura.
“Kam marrë autorësinë e “Për’puthen” këtë sezon dhe mesa duket qenka përgjegjësi jo pak e vogël, e kuptoj tani kur i vetmi shqetësim që duhet të kisha është të dukesha bukur, por në fakt e kam nisur ditën shumë herët për t’u siguruar që çdo gjë do të shkojë shumë mirë”, u shpreh Megi Pojani.
“Kam fatin që rikthehem në një format që e dua shumë, e kam shumë përzemër. Jam besimplotë, sepse mendoj se kemi një kast të mrekullueshëm këtë vit, vajza dhe djem me ngjyra të ndryshme në karakter, mendësi, prejardhje, profesion etj”, tha Neda Balluku.
Ndryshe nga çdo vit tjetër, “Për’puthen” rikthehet me një ftesë të hapur për të gjitha moshat: nga të rinjtë e guximshëm që kërkojnë romancën e parë, te ata që besojnë se ndjenjat nuk plaken kurrë.
“Unë kam qëllimin kryesor këtë sezon që konkurrentët të kënaqen, unë të kënaqem, opinionistët të kënaqen, mendoj se nëse konkurrentët e shijojnë programin, nëse ia dalin që të bëhen personazhe, se ky është një tjetër objektiv imi që ata t’ia marrin frytet “Për’puthen” edhe me dëshirat që ata kanë përtej jetës sentimenale”, tha Pojani.
Me qëllimin për të krijuar sa më shumë çifte, duke dhënë kritikat dhe këshillat e duhura, në rolin e opinionistëve vijnë Aulona Musta dhe Laert Vasili.
“Kjo për mua ëshë e treta e vërteta. E kam nisur me “Për’puthen” që në fillimet e saj, si e ftuar herë pas here dhe thashë “Për’puthen” e dua, “Për’puthen” më do, pse mos ta provoj dhe ta bëj si eksperiencë të plotë. Do të përpiqem t’i bëj të gjitha, nuk është qëllimi të mërzis apo të kritikoj, qëllimi është të dalin çifte në fund të ditës”, tha Aulona Musta.
“Jetojmë në një kohë kur dashuria pothuajse është e ndaluar, marrëdhëniet janë kthyer në fast food, është ajo shprehja që thonë miqtë tanë përtej Atlantikut, ‘One Bam Thankyou ma’am’. Jam këtu për të rikthyer romancën që na ka munguar që nga koha e Dostojevskit”, tha Laert Vasili.
Ky edicion shkon përtej kufijve tradicionalë. Konkurrentët e përzgjedhur do të përballen me sfida emocionuese, situata të papritura dhe vendime të forta.
“Vajzat zgjedhin djemtë, por mund të bëhen lëmsh rrugës, nuk ka shumë problem, mund t’i prishin rregullat sepse unë jam autore këtë sezon dhe nuk do të ketë penalitete”, tha Pojani.
Top Channel