PS kërkon shtimin e numrit të Komisioneve Parlamentare, zbardhet dokumenti zyrtar me firmat e socialistëve, gati për në Kuvend

15/09/2025 13:20

Zbardhet projektvendimi për ndryshimin e rregullores së Kuvendit të kërkuar nga deputetët e Partisë socialistë.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga raporton se PS kanë kërkuar ndryshimin e komisioneve të përhershme në parlament, pra nga 8 komisione të shkojë në 11. Për këtë gjë nevojitet ndryshimi i rregullores së Kuvendit, ndaj është hartuar projektvendimi që më pas do të diskutohet në seancë plenare.

Dokumenti iu është depozituar kryetarit të Kuvendit, me firmën e Taulant Ballës, Olta Xhaçkës, Eduard Shalsit, Ulsi Manjës dhe Evis Kushit.

“Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtimet dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

(Çështjet e politikave ekonomike me përqasjen ndaj tregut të përbashkët evropian, Buxhetin e Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirinë së lëvizjes së punëtorëve, financat publike, privatizimet dhe sistemi bankar.)

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

(Kodet dhe ligjet duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin evropian, organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor, administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.

(Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike, organizimin e forcave të armatosura dhe bashkëpunimin civil-ushtarak, organizimin dhe funksionimin e shërbimeve vendore, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë, shërbimet sekrete.)

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.

(Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikave të zhvillimit të sportit.)

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale.
(Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurinë shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet për mirëqenien sociale.)

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

(Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën, industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

(Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural.

(Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore.)

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.

(Çështjet në fushën e zhvillimit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe të qëndrueshëm, menaxhimin e politikave kulturore, zhvillimin e diasporës dhe të pjesëmarrjes së saj në proceset politike dhe zhvillimet në vend.)

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme.

(Çështjet për integrimin dhe mbikëqyrjen e përmbushjes së legjislacionit e Bashkimit Europian për Shqipërinë, monitorimi i negociatave të anëtarësimit me BE, politikat e jashtme, marrëdhëniet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.)

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

(Monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit; shqyrtimi dhe ndjekja e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; koordinimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi dhe institucionet e pavarura, përmes kontrollit parlamentar post-legjislativ dhe koordinimit të dialogut ndërinstitucional.)

FOTO GALERI
3/3

Top Channel