
Ka nisur në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mbrojtja po prezanton dëshmitarët e saj.
Dëshmitari i parë është James Rubin, ish-Nënsekretar i Shtetit dhe krahu i djathtë i Madeleine Albright.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ndodhet në Hagë, ka raportuar dhe siguruar foto të dëshmisë së James Rubin.
Në dëshminë e tij Rubin kujtoi se në Kosovë për herë të parë kishte ardhur gjatë kohës së luftës në Kroaci dhe në Sarajevë – dhe se “të vetëdijshëm që konflikte të tilla mund të shtriheshin përtej”, tha se ka vizituar Kosovën dhe është takuar “një apo dy herë” me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.
“Kam vizituar në periudhë 1991, 1992, 1993, përpara luftës Kroaci-Serbi, dhe më pas kam vizituar Sarajevën gjatë sulmeve po ashtu dhe gjatë luftës në Bosnje. Kam qenë në disa qytete dhe po ashtu në fund fare kam shoqëruar senatorin Biden në pranverën e vitit 1993.
Gjatë luftërave në atë kohë në Kroaci, Serbi, Bosnje, këto kanë qenë fokuset, vendet përkatëse. Duke qenë të vetëdijshëm që konfliktet e tilla mund të shtriheshin më tej ne e kuptuam që ajo që po ndodhte në Kosovë ishte e rëndësishme. E kam vizituar Prishtinë 2-3 herë, jam takuar një herë apo dy herë me Rugovën”, tha Rubin.
Rubin u ndal gjatë në përvojën e tij me Hashim Thaçin, për të cilin tha se kishte qenë një moment kyç kur u kuptua se ishte lider i delegacionit shqiptar dhe pjesë e UÇK-së.
“Nuk njihnim mirë strukturat e UÇK-së. Kur arritëm aty e kuptuam që udhëheqësi i delegacionit shqiptar ishte i inkuadruar në UÇK. Folëm për takimin me Thaçin në Rambuje. Në kuadër të takimit ai më njohu menjëherë për shkak të TV. Albright më tha që të rrija me të, ta njihja Thaçin më mirë. Gjatë gjithë javës unë kam ndejtur me të, jena takuar, kemi pi kafe, çaj e cigare. Thaçi nuk fliste anglisht në këto rrethana ne komunikonim përmes gjuhës se trupit. Në nivel diplomatik ka pasur përkthyes“, tha ai.
Rubin tha se në kohën e Rambujesë nuk mund të bënin deklarata për pavarësinë e Kosovës.
“Ideja ishte që nuk mund të bëheshin deklarata specifike për pavarësinë dhe ky ishte thelbi i diplomacisë, pikërisht për këtë po diskutohej në Rambuje. Ne donim që fuqitë e mëdha të punonin së bashku, jo vetëm SHBA. Albright donte sa më shumë unanimitet mes fuqive e mëdha, edhe ndihmën e Rusisë. Rusia ishte në favor të dëshirës serbe për të mos pasur deklarata të pavarësisë të përkthyera në një dokument. Ne nuk kishim ende një qëndrim të qartë sa i përket pavarësisë, na duhej një kompromis, një veprim diplomatik, një përpjekje që të kalonim në fazën e radhës ku të kishim gjithë botën në anën tonë që t’ia mbushnim mendjen serbëve të pajtoheshin me marrëveshjen e paqes”, tha ai.
“Ai (Thaçi) na tha se nuk mund të na thoshte ne ‘po’ pa pasur një deklaratë specifike për Pavarësinë, sepse ai duhej të diskutonte me komandantët e UÇK. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalistë, i donin të gjitha”, tha ai.
“Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë”, shtoi ai.
Rubin më pas tha se Thaçi iu tha që nëse nuk e përdor fjalën pavarësi do ta konsiderojnë si njeri që ka hequr dorë nga pavarësia.
“Ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si njeri që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit, si tradhtar. Ishte një moment shumë i vështirë”.
Top Channel