Në bordin e “pentagonit” lundrues, historia e 23-vjeçarit nga Teksas që shërben në anijen e luftës që erdhi në Shqipëri

15/09/2025 19:55

Në bordin e anijes komanduese të Flotës së 6-të Amerikane, USS Mount Whitney, që vizitoi Shqipërinë, shërben edhe një 23-vjeçar nga Teksasi, Alex Blomquist, oficer i tretë dhe pjesë e strukturës civile që mbështet flotën ushtarake amerikane.

I rritur pranë një kanali të madh detar ku kalojnë çdo ditë qindra anije tregtare, Alex u magjeps që fëmijë nga bota e lundrimit. Ky pasion e çoi drejt Akademisë Detare të Teksas.

“Që i vogël, duke parë anijet që kalonin çdo ditë, prane kanalit ku jetoj, më lindi interesi për detin. Pas studimeve në Akademinë Detare Texas A&M fitova licencën e oficerit të tretë dhe nisa punë me Military Sealift Command. Kjo ishte anija ime e parë, më pas kalova në një tanker dhe u ktheva sërish këtu”, thotë Blomquist.

Të shërbesh në një anije hibride, me staf ushtarak dhe civil, është një përvojë unike që të rrit shumë profesionalisht, thotë Alex: “Është një eksperiencë e veçantë, shumë interesante. Ka shume te rinj qe do te donin te ishin ne vendin tim. Nuk e kisha menduar kurrë të punoja në një anije të Marinës Amerikane. Fëmijë ëndërroja të isha pjese e ekuipazheve në tankerë apo anije tregtare, por kjo zgjedhje rezultoi e shkëlqyer për karrierën time.”

Për Alex, sfida më e madhe është qëndrimi larg shtëpisë, por ai thotë se kur ke një anije të mirë dhe një ekuipazh të shkëlqyer, gjithçka bëhet më e lehtë.

“Është e vështirë të rrish larg familjes, por me një anije si kjo dhe një ekuipazh të mrekullueshëm, e gjitha kthehet në një eksperiencë të bukur. Do ta rekomandoja këtë profesion për çdo të ri që e do detin.”

Nga brigjet e Teksasit, tek një prej anijeve më të rëndësishme të flotës amerikane, historia e Alexit është frymëzim për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë një karrierë në det.

Top Channel