
Administrata Trump pritet të zgjasë afatin e 17 shtatorit për kompaninë kineze ByteDance për të shitur ose mbyllur asetet amerikane të aplikacionit të njohur të videove TikTok, tha një burim i njohur me çështjen për Reuters.
Nëse zgjatja konfirmohet, do të jetë hera e katërt që Presidenti Donald Trump i jep ByteDance një afat tjetër, i cili fillimisht ishte vendosur në janar 2025, për të shitur ose mbyllur platformën.
E ardhmja e paqartë për TikTok-un
Muajin e kaluar, Trump tha se kishte identifikuar blerës potencialë amerikanë për aplikacionin dhe nuk e përjashtoi një zgjatje të mëtejshme. Por të dielën në mbrëmje, kur u pyet për të ardhmen e TikTok, përgjigjja e tij ishte e paqartë:
“Ndoshta e bëjmë, ndoshta jo. Po negociojmë për TikTok tani. Mund ta lëmë të shuhet, ose mund të… Nuk e di, varet nga Kina. Nuk ka shumë rëndësi. Do të doja ta bëja për fëmijët.”
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi zgjatjen e pritur, e cila, nëse miratohet, do të sinjalizonte një gatishmëri për ta mbajtur aplikacionin të përdorur nga rreth 170 milionë amerikanë.
Pavarësisht shqetësimeve nga zyrtarët amerikanë në lidhje me shfrytëzimin e mundshëm të TikTok nga Pekini — siç është spiunimi, shantazhi ose censurimi i përdoruesve — Trump duket i vendosur ta shpëtojë aplikacionin.
Progresi në negociatat për shitjen ka qenë i ngadaltë, pasi Kina kërkon miratim për çdo marrëveshje që përfshin dhënien e algoritmit të TikTok tek blerësit amerikanë. Të dielën,
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Besant, dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, James Grier, filluan bisedimet tregtare me Zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng dhe kryenegociatorin e Pekinit, Li Qianggang, në Spanjë. Megjithatë, një marrëveshje nuk pritet të arrihet para 17 shtatorit, tha burimi.
Top Channel