“XUEX”/ Operacioni kundër skemave piramidale, gjashtë të arrestuar, shpallen në kërkim dy të tjerë

14/09/2025 10:58

Gjashtë persona janë arrestuar në qytetin e Fierit, Lushnjës dhe Divjakës gjatë operacionit kundër skemave piramidale online.

Operacioni i koduar “Xuex” u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.

Të arrestuarit janë Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini.

Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave, tha përmes një konference Policia.

Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor, përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim, theksojnë autoritetet.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga.

Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Top Channel