
Ritmi i muzikës rrok do të përfshijë kryeqytetin këtë të diel në mbrëmje.
Në skenën gjigante të vendosur në shesh, ku gjithçka po bëhet gati, do të ngjitet grupi legjendar Scorpions, i cili rikthehet në Tiranë pas 24 vitesh.
Rudolf Schenker, themeluesi i “Scorpions” thotë: “Plot 24 vite më pas… dhe ne jemi të lumtur që gjetëm një rrugë për t’u kthyer te ju!”.
Banda e rrokut premton surpriza për fansat shqiptarë. Por thotë se interesi i grupmoshave të ndryshme që do i ndjekin në koncerte, është vetë një surprizë.
“Duket e pabesueshme kur sheh përballë skenës kaq shumë të rinj”, thotë Schenker.
Mikkey Dee, bateristi i “Scorpions” shton: “Sigurisht, këtu ka ndikuar edhe YouTube, njerëzit kanë parë shfaqjet tona dhe duan të vijnë të na shohim. Para se të vinim këtu, ishim në Bukuresht, ku shihnim prindër me fëmijët e tyre të vegjël”.
Schenker nga ana tjetër thotë se: “Muzika po lidh gjeneratat. Kjo është një gjë fantastike, që i sjell të gjithë bashkë. Sepse muzika është aty për t’u festuar dhe për t’u shijuar”.
Stand up – Me ndalesën e radhës në Tiranë këtë 24 shtator, Scorpions përmbyll turin europian, i cili përkon me 60 vjetorin e krijimit të grupit legjendar, që frymëzoi breza të tërë
“Është shfaqja jonë e fundit për këtë vit, kështu që duhet të festojmë. Ka qenë një vit fantastik”, thotë Mikkey Dee.
Sheshi Skënderbej do të shndërrohet në një arenë rock-u, ku Scorpions do të performojnë hitet më të njohura, përfshirë “Wind of Change”, kënga që shoqëroi rrëzimin e murit të Berlinit e që u shndërrua në himnin e rënies së komunizmit në vendin tonë.
Top Channel