Rritje e fortë për AfD-në në zgjedhjet lokale të Gjermanisë, sfidë direkte për kancelarin Merz vetëm 4 muaj pas ardhjes në pushtet

14/09/2025 13:25

Votuesit në North Rhine-Westphalia, shteti më i populluar i Gjermanisë, po shkojnë sot drejt kutive të votimit për zgjedhjet lokale që po shihen si një provë vendimtare për kancelarin e ri Friedrich Merz, vetëm katër muaj pas marrjes së detyrës.

Në këtë sfond elektoral, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritet të shënojë një rritje të ndjeshme, duke marrë deri në 16% të votave sipas sondazheve të fundit – një rezultat dy deri në tre herë më i lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale pesë vite më parë.

AfD ka potencialin të arrijë raundin e dytë në garat për postet e kryebashkiakëve, duke fituar terren edhe në bastionet tradicionale të partive kryesore. Një sukses i tillë do të sfidojë drejtpërdrejt strategjinë e partive të mëdha për të mbajtur një “mur mbrojtës” ndaj çdo bashkëpunimi me AfD-në në nivel federal.

North Rhine-Westphalia përfaqëson rreth një të katërtën e popullsisë gjermane, dhe përfshin një përzierje të zonave rurale, qyteteve të mëdha industriale dhe komuniteteve multietnike e studentore. Për këtë arsye, ajo shihet si një termometër politik për të gjithë vendin.

Partia Unioni Kristian Demokratik (CDU) e kancelarit Merz pritet të ruajë pozitat si forca dominuese në rajon, me rreth 35% të mbështetjes, por vëmendja e mediave dhe analistëve është përqendruar te ngritja e AfD-së.

Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të tensionuar ekonomike: Gjermania po përballet me ngadalësim ekonomik, rritje të papunësisë dhe pakënaqësi në rritje për çështjet e imigracionit – një temë kyçe që AfD e ka përdorur me mjeshtëri në fushatën e saj.

Kancelari Merz është zotuar të forcojë ekonominë, të reduktojë imigracionin dhe të përballojë rritjen e të djathtës ekstreme. Por, ndërsa ai ka shfaqur vendosmëri në skenën ndërkombëtare – veçanërisht në mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet për bashkimin e aleatëve europianë – në politikën e brendshme, votuesit duket se mbeten të pasigurt për vizionin e tij.

Partia Socialdemokrate (SPD), dikur forca politike dominuese në shumë zona industriale dhe minierash të shtetit, po përballet me rënie të thellë dhe humbje të terrenit, veçanërisht në rajonet e dikurshme të sigurta.

Ndërkohë, AfD po fiton pikë edhe në zona ku çështjet lokale nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikat kombëtare, si energjia, arsimi dhe imigracioni – duke u paraqitur si një alternativë “e freskët” dhe më e ashpër ndaj establishmentit politik.

Sipas analistëve, sa më shumë poste lokale të arrijë të sigurojë AfD – kryebashkiakë, këshilltarë dhe figura vendore – aq më e vështirë do të bëhet për partitë tradicionale të ruajnë distancën politike ndaj saj.

Nëse rezultati i sotëm konfirmon rritjen e AfD-së, kjo mund të hapë një faqe të re për politikën gjermane, me pasoja të rëndësishme në nivel kombëtar dhe europian.

Top Channel