“Rama 4”/ Qeveria për në BE, kryeministri dërgon në Presidencë kabinetin e ri që synon anëtarësimin brenda 2030-ës

14/09/2025 19:52

Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar zarfin me emrat e kabinetit të ri në presidencë për t’u dekretuar; duke arritur rreth 80 emërime ministrash në 4 qeveritë e tij. 

Shtatorin e 12 viteve më parë kryetari i PS-së krijoi qeverinë e tij të parë në koalicion me LSI-në, e cila shënjohet si më e madhja në 4 mandate me 20 anëtarë, 19 ministri dhe një zëvëndëskryeministër.

Numri i ministrive erdhi në tkurrje, me ulje ngritje ndër vite, derisa vendosi të emërojë në mandatin e katërt 17 ministra.  Risia që tërhoqi vëmendjen globale ishte sidomos Diella, e cila i përket botës së inteligjencës artificiale.

Në pozicionin e pandryshueshëm qëndron veç ai në 12 vite kryeministër i Shqipërisë, ndërsa ministrja e katër qeverive pa ndërprerje të Ramës rezulton të jetë vetëm Mirela Kumbaro. U emërua në 2013 si ministre e Kulturës, dikaster që e drejtoi edhe në mandatin e dytë, për të kaluar më pas në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e këtë herë i besohet Ministria e Arsimit.

Emri që e shoqëron nga 2013 e deri në 2025 është edhe Niko Peleshi, jo më si zëvendëskryeministër por në rolin e kryetarit të Kuvendit. Në kabinetin e 2017 i dha karrigen e ministrit të Bujqësisë, më tej në 2021 ministrinë e Mbrojtjes që nuk e mbylli deri në fund mandatin me zëvendësimin nga Pirro Vëngu në 2024, i cili u rikonfirmua sërish në detyrë.

E besuara tjetër duket se është Ogerta Manastirliu që nga udhëheqja e Ministrisë së Shëndetësisë në mandatin e dytë, e pasoi në fushën e arsimit në qeverinë e tretë, për t’i dhënë së fundmi bekimin e garës për kryetare bashkie në kryeqytet.

Figurë dominante e socialistëve mbetet Belinda Balluku e cila ruan vendin si zëvendës kryeministre dhe ministre e infrastrukturës dhe energjisë në dy qeveritë e fundit.

Rama 4 i vijoi rrugëtimin ministror edhe Adea Pirdenit si ministre e shtetit për administratën edhe antikorrupsionin, kryenegociatores Majlinda Lluka; i besoi sërish edhe Petrit Malajt si ministër financash, rikonfirmoi dhe Blendi Gonxhajn duke i ndryshuar profilin në ministër turizmi, sporti dhe kulture; apo surprizoi me zgjedhjen e gruas së parë në historinë e Shqipërisë në krye të Ministrisë së Brendshme, Albana Koçiu që me mbarimin e mandatit të tretë, mbylli derën te ministria e shëndetësisë.

Gjithashtu ndryshoi detyrën e Elisa Spiropali, nga kryetare kuvendi në ministre e Punëve të Jashtme, duke lënë pa post në qeverinë e re ish-ministrin Igli Hasani. Mes fytyrave të 4 qeverive të PS, disa kanë ikur pa kthim, e të tjerë u rikthyen si Delina Ibrahimaj në rolin e ministres së ekonomisë dhe inovacionit.

Por në kabinetin e freskuar “Rama 4” u shfaqën edhe 6 emra të rinj që do ulen për herë të parë në karrigen e ministrit. Evis Sala, mjekja që la Italinë për të drejtuar shëndetësinë në vendlindje. Dy kryebashkiakë në të shkuarën, rriten në detyrë. Andis Balla, nga pushteti lokal i Cërrikut do të jetë ministër i Bujqësisë. Ndërsa Ervin Demo i Beratit në krye të Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor.

Edhe dy zv.ministrave ju ngarkohet më shumë përgjegjësi. Sofjan Jaupaj mbetet në të njëjtën godinë, por tashmë si ministër i Mjedisit. Ndërsa Besfort Lamallari do të lërë ministrinë e brendshme për t’u ngjitur në karrigen e ministrit të Drejtësisë.

Toni Gogu që nuk fitoi më 11 maj, kapërceu nga ulësja e deputetit në vendin e ministrit të Shteti për Marrëdhënien me Parlamentin. Kjo skuadër e re për Ramën është finalizuesja për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda 2030.

Top Channel