Polonia akuzon Hungarinë, ministri i jashtëm: Po shantazhoni BE-në me Ukrainën, e keni kaluar kufirin

14/09/2025 12:07

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, kritikoi ashpër Hungarinë, duke e akuzuar për shantazh kundrejt Bashkimit Evropian në procesin e anëtarësimit të Ukrainës.

Deklarata e fortë u bë gjatë Konferencës vjetore të Strategjisë Evropiane të Jaltës, e mbajtur në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

“Mund ta shantazhoni të gjithë BE-në me çështjet tuaja dypalëshe, por ka gjithmonë një kufi,” tha Sikorski, duke shtuar më pas se: “Hungaria ka shkuar përtej kufijve të arsyeshëm.”

Ukraina dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE pak ditë pas fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, përparimi i negociatave ka mbetur i bllokuar për shkak të vetos së vendosur nga kryeministri hungarez Viktor Orban, një lider që prej kohësh është kritikuar për qëndrimet e tij pro-Kremlinit dhe raportet e ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.

Pozicioni i Hungarisë ka shkaktuar irritim në disa kryeqytete evropiane, përfshirë Varshavën, e cila prej fillimit të luftës ka qenë një ndër mbështetëset më të mëdha të Kievit.

Fjalimi i Sikorskit sinjalizon një rritje të presionit diplomatik ndaj Budapestit, në përpjekje për të shmangur bllokimin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së në lindje.

Top Channel